Violonçelisti i njohur Vlorent Xhafaj, prej muajit shtator i është kushtuar menaxhimit të Orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar. I angazhuar mes skenave ndërkombëtare ku luan dhe dëshirës për një orkestër të radios që ju qaset niveleve europiane, ai vjen në një intervistë në “News24” ku flet për konkursin për drejtorin artistik të orkestrës.

“Orkestra e RTSH dhe ajo e Operas janë dy pasuri kombëtare që duhen mbrojtur me çdo kusht, janë historia muzikore e këtij vendi. Jam marrë me këtë sezon sepse ma kërkoi drejtori artistik aktual Aristidh Prosi, me të cilin njihem prej vitesh dhe ka qenë violonçelisti i parë që unë kam parë që kur kam qenë i vogël. Ai ka pasur intuitën të mendojë për vazhdimësinë duke menduar për një rrugë që orkestra të jetë në përmirësim”, tregon Xhafaj.

Në konkursin e hapur për drejtorin artistik kanë ardhur më se 60 aplikime, nga të cilët më se 40 janë të huaj. Vetë Xhafaj, ndonëse është angazhuar në ngritjen e orkestrës nuk ka kandiduar dhe gjykon se në kur duhet të jetë një dirigjent, pa përjashtuar një dirigjent të huaj ndonëse paga në Shqipëri për pozicionin nuk i kalon të 1000 eurot dhe ndonëse një drejtues i huaj nuk do të mund të jetë i pranishëm në Shqipëri gjithnjë.

“Nuk jam unë përzgjedhës i tyre. Drejtori duhet të jetë dirigjent për mua, ai duhet të jetë imazhi i saj që i jep një linjë në programacion. Linja ideore e gjithë sezonit. Unë jam muzikant, dhe mund ta bëj por nuk do ta bëj më mirë se një dirigjent. Sa për pagesën, të gjithë e kanë të qartë se sa është paga në Shqipëri, ka forma si ata mund të plotësojnë diçka mbi rrogën që iu jepet nga institucioni. Një person i rëndësishëm di të tërheqë nga privati dhe mund të gjejë sponsora ose të negociojë kontrata. Ka mënyra negocimi për dirigjentët si drejtorë artistik dhe mund të bëhet me sponsora, duke i përshtatur me ligjet dhe rregullat në Shqipëri. Unë nuk jam për orkestër ku instrumentistët janë me kontrata, unë vetë punoj për kontrata, por orkestra e RTSH-së është publike, kombëtare. Nuk është zgjidhje për institucionin”, thotë Xhafaj për “News 24”.

Orkestra e RTSH-së nuk ka një sallë dhe Xhafaj thotë se është e vështirë të ketë një sallë të dedikuar, por ajo do të mund të luajë te salla e Universitetit të Arteve (pas restaurimit) ku ka luajtur ço të premte.

“Së pari nuk mund të mendohet fuzion, bashkim mes orkestrave. Së dyti orkestra është shtetërore dhe duhet të mbetet e tillë vetëm me varësi ndaj shtetit. Është e njëjta gjë në bashkëpunimin privat publik. Nëse ka një privat që investon në këtë fushë artistike, nuk mund t’i lihet maksimumi e zgjedhjes te privati sepse zgjedhja e tij do ndërhyjë në punët publike. Ndaj në institucionet e mëdha europiane e frenojnë investimin e madh, sponsorizimin e madh privat. E tërheqin dhe e frenojnë në jo më shumë se 50 për qind sepse bëhet maxhoritar ndaj fondit publik dhe ndërhyn me kërkesa, më artistë”.