Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka reaguar në lidhje me propozimin e modifikuar francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Zaev thotë se me propozimin në fjalë është ruajtur gjuha dhe identiteti maqedonas.
“Çështja më e rëndësishme, gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas janë të siguruar dhe garantuar në kohën e negociatave dhe prandaj janë njohur dhe pranuar nga BE-ja. Kjo është e para dhe absolutisht më e rëndësishmja. Protokolli që do të nënshkruanin Qeveria e Maqedonisë dhe Qeveria bullgare shpjegon rrugën për tejkalimin e çështjeve të hapura që janë të zgjidhshme. Ndërtimi i marrëdhënieve të mira dhe miqësore me fqinjët është thelbësor për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e një rajoni siç është Ballkani Perëndimor. Prandaj, ne nga pala maqedonase dhe kolegët tanë nga pala bullgare duhet të punojmë së bashku për të mbyllur çështjet e hapura. Në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme që në bisedime të ruhet plotësisht dinjiteti kombëtar i të dyja palëve. Miqësia krijohet dhe ndërtohet kur dy palë kujdesen reciprokisht për njëra-tjetrën gjatë zgjidhjes së çështjeve të hapura,” shkruan Zaev.
Zaev shton se, një pjesë tjetër thelbësore e propozimit francez është përfshirja e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutë. Sipas ish-kryeministrit, është një hap që duhet të bëjmë dhe i cili në asnjë mënyrë nuk do të dëmtojë shtetin, shoqërinë apo asnjë nga komunitetet në vendin tonë.
“Ne tashmë kemi shtatë bashkësi etnike në Kushtetutën tonë. Me ndryshimet kushtetuese do të jenë 10 bashkësi etnike. Vetëm për inat, për qëllime të këqija ose për përfitime personale politike dikush mund të jetë kundër futjes së tri bashkësive të reja etnike në Kushtetutë. Kundërshtimi i multikulturalizmit është kundërshtim ndaj integrimit evropian të atdheut tonë.”