Në malin e Ivanit, me lartësi 1768 metra mbi nivelin e detit në Parku Kombëtar “Prespa”, rritet një nga zambakët më të bukur e të rrallë në vendin tonë.
Ambientalisti Abdulla Diku ka publikuar në rrjete sociale foto nga ky zambak i veçantë dhe që quhet zambaku i Kalkedonit (Lilium chalcedonicum L.)
Sipas tij, është lloj i rrallë që gjendet vetëm në Shqipërinë e Jugut, Greqi dhe në zonën e Toskanës (Itali).
Diku thekson se ky është ndër zambakët e pakët që kemi në vendin tonë dhe ngjyra e kuqe e tij e bën atë ndër të rrallët në botë.
Ai sqaron se ndonjë herë bima shkon deri 150 cm e lartë, por normalisht gjatësia luhatet nga 80-120 cm.
Gjithashtu, ambientalisti Diku thekson se ky zambak lulëzon në vende pak të lagështa, pjesërisht të hijezuara, në pyje me çeltira, shkurre dhe livadhe në toka shkëmbore gëlqerore, nga 600 deri 1700 metra mbi nivelin e detit.
“Për shkak të hijeshisë së tij, është kultivuar shumë herët. Duke qenë se është lloj i rrallë, këtë zambak shumë simpatik, Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe Burimeve Natyrore (IUCN), e ka bërë pjesë të listës së llojeve të rrezikuara”, deklaron eksperti i mjedisit Abdulla Diku, duke sqaruar se fotot janë bërë në malin e Ivanit, parku Kombëtar “Prespa”, në lartësinë 1450 metra mbi nivelin e detit.