I dyshuari për vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe u transferua të dielën në burg, pasi u mbajt për 2 ditë në një komisariat policie.
Hetuesit deklaruan se agresori, Tetsuja Jamagami, kishte vepruar pasi besonte në zërat se Abe ishte pjesë e një organizate të fshehtë fetare, që vite më parë i kishte shkatërruar jetën prindërve të tij.
Nga ana tjetër, vdekja e ish-kreut të qeverisë ka ngritur shumë pikëpyetje edhe në aspektin e sigurisë. Një zyrtar i lartë policie foli të shtunën për një gabim që mund t’i ketë lejuar vrasësit të afrohej dhe të qëllonte në drejtim të Abe.
“Besoj se është e pamohueshme që patëm probleme në garantimin e sigurisë. Urgjente për ne është të kryejmë një hetim për të sqaruar se çfarë ndodhi”, tha Tomoaki Onizuka, shef i policisë së prefekturës së Narës.
Po të dielën, qytetarët në Japoni nisën të hidhnin votën për rinovimin e dhomës së lartë të Parlamentit, një proces zgjedhor ky, i zhvilluar nën hijen e vrasjes së dy ditëve më parë që tronditi mbarë botën.
Kryeministri aktual i Japonisë, Fumio Kishida, Partia Liberal-Demokrate e të cilit ishte në favor të këtyre zgjedhjeve, denoncoi sulmin “barbar” ndaj ish-mentorit të tij dhe e vuri theksin tek rëndësia e mbrojtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë themeli i demokracisë.
Ndërkohë, në shumë kryeqytete të botës, godinat historike dhe ato të institucioneve zyrtare u ndriçuan me ngjyrë të kuqe, që simbolizon diellin në flamurin e Japonisë.