Një zjarr masiv ka dalë jashtë kontrollit në tre fronte pranë qytetit Amfissa, në komunën Delphi të Greqisë Qendrore, njoftuan shërbimet e zjarrfikësve.

 

Të nxitur nga erërat e forta zjarret po përhapen nëpër ullishtat drejt manastirit të Profitis Ilias dhe gjithashtu drejt qytetit bregdetar të Iteas.

 

Manastiri është evakuuar, por zjarrfikësit po përpiqen të parandalojnë zjarrin që të arrijë në një rajon të pyllëzuar aty pranë.

 

”Erërat e forta po e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë për zjarrfikësit kontrollin e zjarrit”, tha kryetari i bashkisë së Delphit, Panagiotis Tagalis.

 

Një mesazh me tekst evakuimi u dërgua nga mbrojtja civile përmes numrit evropian të urgjencës 112 për banorët në pjesën veriore të Itea, në rajonin Fokis, të cilëve iu tha të niseshin drejt Kirrës.

 

Me anë të alarmit 112 është evakuuar edhe fshati Sernikaki.

 

Rreth 50 zjarrfikës me 15 makina zjarrfikëse dhe tre ekuipazhe tokësore ndihmohen nga pesë avionë.

 

Gjithsej 52 zjarre janë regjistruar në të gjithë Greqinë gjatë 24 orëve të fundit.