Epërsia financiare e Bajernit të Mynihut në Bundesligë nuk njeh kufij. “Sportbild” ka zbuluar se kontrata e sponsorizimit mes kampionëve të Gjermanisë dhe sponsorit “Telekom” do të rinovohet pas pak ditësh deri në vitin 2026. Marrëveshja e re do t’u japë rekordmenëve edhe më shumë të ardhura se më parë.
Nga kontrata aktuale Bajerni fiton 45 milionë euro në vit, por me marrëveshjen e re ajo do të shkojë në 50 milionë, një rritje prej më shumë se 10%, ndërkohë që shuma do të vazhdojë të rritet në bazë të suksesit të skuadrës. Në total nga kontrata e re 4-vjeçare, Bajerni pritet të arkëtojë të paktën 200 milionë euro. Rivalët e Volfsburgut sigurojnë rreth 70 milionë euro në vit nga sponsori “Volkswagen”, por ata kanë të përfshirë edhe të drejtat e emrit të stadiumit dhe sponsorizimin e mëngëve të fanellës.
Për këtë të fundit, Bajerni fiton deri në 20 milionë euro në vit nga “Qatar Airways”. “Telekom” është sponsori kryesor i fanellës së Bajernit dhe qëndron në kraharorin e lojtarëve që prej vitit 2002, pasi zëvendësoi “Opel”- in 20 vite më parë. Kompania e prodhimit të automobilëve me qendër në Mynih jepte rreth 30 milionë marka gjermane në sezon. Sot Dortmundi merr rreth 35 milionë euro në vit nga sponsorët e saj “1&1” dhe “Evonik” dhe të njëjtën shifër përfiton edhe Lajpcigu për sponsorin e fanellës “Red Bull”.