Ka kaluar një çerek shekulli nga koha kur Tom Llesh Rukaj, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, financoi dhe mundësoi ndërtimin e rrugës Tamarë-Brojë me gjatësi 10,5 kilometra. Ky fshat malor në prehër të Alpeve ishte tërësisht i izoluar dhe banorët e tij ishin të detyruar të përballonin vështirësitë me mënyra transporti primitive, duke transportuar ngarkesat mbi supe.
Bujaria e birit të fshatit Brojë në Këlmend të Malësisë së Madhe do të ndryshonte një herë e përgjithmonë jetët e banorëve të të gjithë zonës, që më në fund do të lidhej falë aksit rrugor të realizuar nga patrioti Tom Llesh Rukaj.
Nderimin, respektin dhe mirënjohjen për këlmendasin bujar, brojanët e kanë shprehur duke i kushtuar atij një obelisk të vendosur në brigjet e lumit Cem, aty ku fillon rruga e Alpeve të bukura të Këlmendit dhe Bjeshkëve të Namuna.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë banorë të zonës së Këlmendit, nga Shkodra, Tirana, Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vepra e skulptorit të mirënjohur shqiptaro-amerikan Vasil Rakaj kushtuar Tom Llesh Rukaj u bekua nga Padër Pashko Gojçaj, Provincial i Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” në Shqipëri dhe në Mal të Zi.