Romelu Lukaku është investimi më i rëndë sishëm i kësaj vere në shtëpinë zikaltër. Edhe pse belgu është rikthyer si huazim i thjeshtë është ai njeriu ku janë drejtuar sytë e Interit dhe tifozëve të tij. Pas këmbënguljes për t’u kthyer, deklaratave të dashurisë dhe përgatitjeve fizike, fjalën e mori fusha, që në këtë fazë përgatitore ka konfirmuar se Lukaku është po aq i rëndësishëm sa ç’ka qenë në dy vitet e tij të para si zikaltër.
Pavarësisht se paraqitjet e skuadrës kanë lënë për të dëshiruar në miqësoret e verës, 29-vjeçari ka qenë nga ata që e ka bërë si duhet detyrën e tij. E vërtetë që ka shënuar vetëm dy gola, por i tillë ka qenë edhe rrugëtimi i Interit dhe numrat e sulmuesit janë më shumë se shpresëdhënëse për Inzagin. Romelut i duhet të prekë vetëm 5 topa në zonë për të shndërruar në gol njërin prej tyre, duke rezultuar tejet efikas për skuadrën.
Ndaj Vijarealit të shtunën Lukaku ka qëndruar në fushë 69 minuta duke dërguar një top në rrjetë, një mbi traversë dhe të tjerët i ka shkëmbyer me shokët e skuadrës dhe mbi të gjitha me “binjakun” e sulmit, Lautaron, kimia me të cilin nuk ka ndryshuar dhe është një nga arsyet kryesore pse zikaltrit ëndërrojnë trofetë këtë vit.
“LuLa” në fakt ka qenë i vetmi sinjal pozitiv i kësaj faze përgatitore me skuadrën që duhet të përpiqet të kapë frekuencën e sulmuesve. Me një ritëm më të shpejtë në këtë drejtim, sidomos për Lukakun, duket se ecën korsia e majtë që ka qenë furnizuesi në të dy golat e “Big Rom”- it.
Ndaj Vijarealit asisti ishte i Gosensit, ndërsa ndaj Lionit autorësia ishte e Dimarkos, me dyshen që mund të jenë arsye buzëqeshjeje për Inzagin që deri tani e ka parë gjigantin belg të furnizohet vetëm nga krahët dhe jo nga qendra. Por me Çalhanoglunë dhe Barelën pas shpatullave, edhe asistet qendrore nuk do të vonojnë dhe për sa kohë një snajper si Lukaku shënjestron portën kundërshtare, golat nuk priten të jenë problem për zikaltrit.