Beteja e ditëve të fundit e Ilir Metës për Tiranën, duket nuk ka mbërritur në derën e Sali Berishës. Kreu demokrat duket ka plane të tjera për bashkinë, kandidati i të cilit nga formacioni i vet, së paku formalisht, nuk do të vi nga foltoret, por nga primaret.
“Një gjë është e sigurtë që kandidatët nuk do t’i caktojë Sali Berisha dhe as kryesia po anëtarësia, do ketë një garë mes dy tre vetave.” – u shpreh Berisha. Por a do pranojë Ilir Meta të jetë një prej këtyre emrave, dhe aq më tepër që kandidimin e tij ta vendosi jo populli i lirisë, por demokratët?
Për këtë Berisha sot la të kuptohet se ka edhe një pengesë tjetër. Pengesë që nuk vendoset prej tij, po prej Edi Ramës: pastërtia e kandidatëve. “PD ka qenë është dhe do të mbetet nismëtare për çdo formë lustracioni për bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Natyrisht ne jemi që çdo qytetar të ketë të drejtë të njihet me dosjen e tij, dhe askush tjetër përveç atij, nëse ai nuk kërkon për t’u zgjedhur” -vijoi Berisha.
Pra ish-kryeministri për herë të parë la të kuptohet qartë se nëse duhet të kandidosh, duhet të publikosh dosjen. Pra askush, as Meta nuk i shmanget dot kësaj dhe kësaj radhe nuk e ka as Berishën me vete. Përkundrazi, Berisha duket i pashqetësuar që të jetë më vete, sot apo nesër në zgjedhje lokale.
“PD do të shkojë në zgjedhje me siglën e saj pavarësisht se Edi Rama do të bëjë gjithçka, por ç’është e vërteta, në këtë betejë kundër plurarizmit do të paguajë një çmim të tmerrshëm. E kemi konsideruar armik do e trajtojmë si armik.”