Vajza e filozofit ultra-nacionalist dhe këshilltarit të ngushtë të Putinit, Aleksandër Dugin u vra në një atentat me bombë. Pamjet ku Dugin shihet në gjendje shoku në vendin e ngjarjes, duke vendosur duart në kokë kanë bërë xhiron e mediave në botë.
Siç njoftuan hetuesit rusë, brenda mjetit ka pasur një bombë dhe ishte vendosur nën sediljen e shoferit.
Makina Toyota Land Cruiser ishte e babait të saj dhe ai do të ishte vetë në të, vetëm në momentin e fundit ndryshoi mendje dhe hipi në një automjet tjetër.
Allegedly Dugin at the location where his daughter was assassinated. pic.twitter.com/2dHo6T4I27
— Dmitri (@wartranslated) August 20, 2022
Shpërthimi ndodhi të shtunën në mbrëmje në fshatin Bolshiye Vyazyomy, pranë Moskës. Të dy kishin qenë në një koncert dhe po ktheheshin në shtëpi.
Siç raportoi gazeta ruse 112, 35-vjeçarja Darya Dugin dhe babai i saj 60-vjeçar do të ktheheshin në Moskë me të njëjtën makinë. Por Dugin, që besohet të jetë objektivi i vërtetë i sulmit, vendosi në minutën e fundit të udhëtojë veçmas.
Videoja, autenticiteti i së cilës nuk është konfirmuar dhe postuar në Telegram, tregon Dugin të shokuar teksa ekipet e shpëtimit mbërrijnë në vendin e ngjarjes së makinës që digjej.