Shtatori nuk është një muaj i lehtë për ekipet përfaqësuese, ka qenë gjithnjë i vështirë për Shqipërinë, kështu pritet të jetë edhe këtë herë teksa një pjesë e mirë e legjionarëve nuk janë stabilizuar në ekipet e tyre respektive. Përjashtim në këtë rast bën Myrto Uzuni, me sulmuesi kuqezi që po kalon një moment fantastik te Granada. Uzuni ishte protagonist absolut në fitoren e pastër 3-0 që ekipi i tij arriti kundër Villareal B.
“Bomberi” kuqezi realizoi një “tripletë” golash duke marrë me vete topin e ndeshjes. Një minutë lojë i mjaftoi për të dërguar topin në rrjetë, një vertikalizim shumë i bukur. Në të 12-tën, në një aksion thuajse fotokopje, fitoi një 11-metërsh dhe po vetë e shndërroi në gol. Sulmuesi shqiptar ka fituar statusin e liderit te Granada pasi në minutën e 82-të iu besua penalltia e fituar nga Callejon. Uzuni nuk gaboi as në këtë rast duke kompletuar mbrëmjen e tij perfekte.
Falë këtij tregolëshi, Uzuni shkon në kuotën e katër finalizimeve duke u ngjitur i vetëm në majën e listës së golashënuesve më të mirë në Ligën e dytë spanjolle. Me tre fitore në tre ndeshje, Granada kryeson kampionatin.