Kryetari i Bashkisë së Korçës parashikon një dimër të vështirë sa i takon ngrohjes së popullatës me dru zjarri.
Duke qenë se bashkia juglindore ka një dimër të ashpër që fillon më herët dhe mbaron me vonë se bashkitë e tjera, i ka paraprirë situatës, duke përllogaritur që vete bashkia siguron 10-15 për qind të sasisë së nevojshme të druve për stinën e dimrit.
Ndërsa konstatohet se ka edhe rritje të ndjeshme të çmimeve.
Një nga masat që ka propozuar kryebashkiaku i Korçës është që ministria e linjës të ngrejë një bord të ngjashëm si ai i karburanteve për të frenuar abuzimet me çmimin e druve të zjarrit.
Ndërsa prefekti i Korçës ka kërkuar që bashkitë që kanë tepricë të druve të zjarrit, diferencën ta sjellin pranë bashkive të qarkut të Korçës, si një ndër masat për përballimin e situatës.
Aktualisht çmimi i një metër dru zjarri varion minimalisht nga 5500 lekë deri në 7 mijë lekë.