Në këto ditë të fundit te Partizani kanë ndodhur shumë gjëra, duke u nisur nga afrimet, deri te largimet e bujshme. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” drejtori sportiv i të kuqve, Elton Marini, flet për largimin e Belicës, ku ka edhe një sqarim për të bërë, teksa nuk preferon të nisë një çështje të re për sa i përket shkarkimit të ish-trajnerit Mehmeti. Drejtori tregon se është pranë mbylljes së negociatave për afrimin e dy lojtarëve, teksa nuk mohon kontaktet me lojtarë si Shefiti, Preka, Guri apo Rashica.
Teuta ishte një provë e rëndësishme, si ju duk paraqitja e skuadrës?
Unë do ta quaja një provë normale për atë çka paraqet një miqësore, në funksion të idesë që kërkon trajneri. Paraqitja e skuadrës në këtë kontekst ishte pozitive, por pa elozhe për rezultatin, edhe pse të fitosh bën gjithmonë mirë në aspektin psikologjik.
Me aq sa keni parë në stërvitje dhe në ndeshje, ku e ka të nevojshme Partizani të përmirësohet në merkato?
Klubi që në fillimet e mia të punës është munduar të plotësojë në çdo repart largimet e lojtarëve të sezonit të kaluar, pa harruar edhe ndonjë element cilësorë shtesë. Nuk mbetet pas as mbështetja te të rinjtë nga akademia, që janë një aset i rëndësishëm për klubin. Kemi ende dy pozicione, për të cilat po negociojmë dhe jemi pranë marrëveshjeve.
Trajneri u shpreh se pret një sulmues, mund të na tregoni më shumë për këtë objektiv merkatoje? Është një nga emrat e përmendur apo dikush tjetër?
Insistimi është pjesë e punës suaj, ashtu si edhe imi për të thënë se ndoshta ka ndonjë emër, që nuk është në këtë listë dhe mund të jetë surprizë. Guri sigurisht që do të ishte një goditje e madhe dhe nuk fshihem për këtë. Por tregu është dinamik dhe konkurrenca e klubeve të huaja është problemi ynë në përgjithësi.
Si qëndron e vërteta me Belicën? Ishte vendim i klubit apo stafit teknik dhe përse erdhi në këtë moment?
Unë mendoj që të mos i hequr asnjë presje deklaratës së Belicës për ato çka kemi biseduar burrërisht me njëritjetrin. Më vjen keq që në disa portale janë keqinterpretuar fjalët e tij, por e vërteta që i është thënë edhe Belicës, është pranuar me shumë profesionializëm nga ana e tij. Në asnjë rast nuk ka pasur presion për ta larguar me çdo kusht apo për ta detyruar të stërvitet me ekipet e tjera të klubit. Thjesht i është shpjeguar projekti teknik dhe opinioni i klubit./PANORAMASPORT.AL