Nga Plator Nesturi/

Me hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dy vendet që u përpëlitën për disa vite në vorbullën e paqartësisë të rrugëtimit, harta e këtij cepi të Evropës shtohet më tej me ngjyrat e BE-së. Ballkani, si koncept i mëvetësishëm, i dallueshëm nga pjesa tjetër e kontinentit dhe ku afshet nacionaliste gritën mure izolimi si ndaj fqinjëve ashtu edhe ndaj progresit, tashmë duket se është një realitet i shthurur tashmë e që i përket së shkuarës. Tre dekadat e fundit ishin pasqyrim i betetës midis dy koncepteve por dhe emërtimeve përkatëse që përfaqësonin dy botë të ndryshme. Një betejë ngritjeje dhe plot përplasjeje nga ku do përballeshin Ballkani arkaik me Juglindjen e një koncepti më të madh siç është Evropa.

Goditja e parë ishte përfshirja si pjesë e familjes Evropiane e dy vendeve të rëndësishëm sic është Ramania e Bullgaria. Madje kjo e fundit me vargmalet Ballkan të saj, i kish dhënë emrin gjithë gadishullit dhe kjo nuk ish një shenjë e mirë për arkaiken. Por rrudhja më serioze e hartës së Ballkanit mori formë me hyrjen e Kroacisë në BE, e cila u bë ylli i njëzet e tetë që i bashkëngjitet yllësisë së BE-së, me dhënien e statusit të vendit kandidat Serbisë e Malit të Zi dhe, më në fund, ajo që fare mirë mund të quhet mrekullia e Brukselit, hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën – çka në një farë mënyre është një sfidë diplomatike e politike për atë pesëshe vendesh anëtare të BE-së që, duke qenë peng të mendësive nacionaliste e anakronike, ende nuk pranojnë ta njohin realitetin e ri gjeopolitik në Europë. Me këto lëvizje që u dhanë një shpresë të re dhe popujve të tjerë ballkanikë u përvijua në mënyrë të qartë e ndoshta përfundimtare harta e asaj që një ditë shpresojmë do të quhen Shtetet e Bashkuara të Europës. Edhe pse politikanët ngurrojnë ta pranojnë haptazi këtë gjë, janë të shumtë studiuesit që e shohin kështu hartën e ardhshme të shtetit të përbashkët të europianëve. Në këtë fazë të re të procesit të integrimit europian, Ballkani, ish-fuçia e barutit, vjen e shndërrohet në Europë Juglindore. Në këtë pikë emri i vjetër dhe anakronik lypset flakur tej për t’i lënë vendin emrit të kahershëm, paraosman, që sot rifiton shkëlqimin e vjetër të bjerrë prej zgjyrës së kohës dhe tingëllon po aq modern e bashkëkohor. Dhe gjasat janë që një periudhë historike luftrash, konfliktesh, mërish etnike e fetare të mbyllet për t’i hapur udhë një epoke të re, një konteksti të ri gjeo-politik, atij të të qenit europianë. Kësisoj retorika politike e diplomatike, me të cilën jemi ushqyer tash e tridhjet vjetë si me një lugë bosh, vjen e tërhiqet, duke i lënë vendin një realiteti të ri dhe një koncepti të ri gjeopolitik. Edhe pse e gjendur në kulmin e një krize ekonomike, politike e morale, në një farë mënyre, Europa dëshmoi se ka një vizion për të ardhmen.

E megjithatë rruga është ende e gjatë dhe procesi larg mbylljes. Pas marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, Mali i Zi ngjan vendi që po ecën më shpejt se fqinjët e tij ballkanikë drejt Brukselit. Maqedonia e Veriut, edhe pse ia arriti kësaj pas shumë sakrificash identitare, ngjan ende e ngërthyer në konvulsionet e veta nacionaliste. Bosnjë-Hercegovina vijon të lëpijë plagët e luftës në kërkim të një identiteti të trefishtë që ngjan si një petk që i rri ngushtë. Ndërsa Shqipëria, mbasi hodhi Rubikonin e e mbajtjes peng të rrugëtimit të vet nga kushtete vëna ndaj Maqedonisë së Veriut, më në fund mund të marrë frymë lirisht edhe prej sherrshamatasë së politikës, port ë fokusohet më drejt e më vrullshëm në përmbushjen e kapitujve që dalin si obligim pas hapjes së negociatave për anëtarësim. Paradoksalisht ishim i vetmi vend anëtar i NATO-s në Europë që nuk e gëzonim të drejtën që nisnim etapën e fundit të rrugetimit drejt Brukselit, në qoftë se mund të shprehemi kështu. Kishim mbetur si udhëtari me biletë në dorë që ka ngecur në stacion pasi treni po shtynte nisjen për një kohë të gjatë. Gjithësesi ka shumë për të bërë përpara. Dhe kjo është për të gjithë shqiptarët, këndej dhe andej kufirit. Nëse njëqind vjet më parë ishim të fundit që u shkëputëm për të jetuar më vete, prej të “sëmurit të Bosforit” i cili, sikur donte t’i merrte me vete në rrugëtimin e vet drejt greminës, tashmë nuk duhet të jemi më të vonuarit në pikëpjekjen me historinë, ndaj dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për të vrapuar për të arritur destinacionin europian.

Ndaj sot, më fort se dje, besojmë se shprehja gjeografike Ballkan do të shërbejë thjesht për t’i dhënë një ngjyresë sitilistikore veprave të shkrimtarëve e historianëve kur të flasin e shkruajnë për të shkuarën; me fjalë të tjera, një objekt antikuariati që, si i tillë, e ka vendin në muzeun e historisë së qytetërimeve të popujve të kësaj pjese të botës që prapësitë e fatit i ndanë në mënyrë të panatyrshme nga kultura dhe qytetërimi pjesë e të cilit kanë qenë qysh nga ngjizja e tyre.