Massimiliano Allegri prezantoi në konferencën për shtyp ndeshjen që do t’i shohë bardhezinjtë të angazhuar në transfertë me Sampdorian: “Do të gjejmë një skuadër që ka luajtur një ndeshje të mirë kundër Atalantës. Në Genoa ndeshjet janë gjithmonë të komplikuara, në disa momente do të duhet të mbrohemi mirë, sidomos në momente të vështira kur ato do të shtyhen nga publiku”.

Disa fjalë edhe për dëmtimet: “Janë pjesë e lojës dhe unë nuk jam i shqetësuar. Di Maria ka pasur një problem në aduktor, ndoshta do të jetë jashtë edhe për dhjetë ditë të tjera ose ndoshta do të kthehet më shpejt. Pogba dëmtoi meniskun e tij. Nuk mund të bëj asgjë, nëse McKennie nxjerr shpatullën gjatë stërvitjes në Amerikë, nuk mund ta ndihmoj. Szczesny kishte një problem, por ne kemi Perin që është një portier i besueshëm”.

Një prognozë për titullin në Serie A: “Janë 8 skuadra që do të luftojnë: Milani, Interi, Roma, Napoli, Juventusi, Lazio, Atalanta dhe Fiorentina. Do të jetë një kampionat emocionues, por katër prej tyre do të shkojnë në Champions League, dy në Europa League, një në Ligën e Konferencës dhe një do të qëndrojë në shtëpi duke shikuar”.

Situata e Moise Kean: “Jam i kënaqur me të, u paraqit shumë mirë. Ne do të luajmë çdo tri ditë dhe do të ketë vend për të gjithë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë”.

Nesër radhën e ka Adrien Rabiot, pas tratativave të pasuksesshme me Manchester United: “Nesër do të luajë Rabiot. Unë e kam konsideruar gjithmonë një lojtar të Juventusit, pastaj është normale që të dalin thashetheme në treg. Nga nesër do të kemi dy ‘nënshkrime’: Rabiot dhe Kean”.

Zgjedhjet në mbrojtje: “Nesër do të luajë njëri mes Gatti dhe Rugani. Bonucci ka një shqetësim, por unë tashmë kisha vendosur ta lë të pushojë. Në çdo rast ai do të jetë i disponueshëm dhe do të jetë në stol”.

Situata e Kostic: “Duhet të luajë që nga fillimi nesër. Përshtatja po shkon shumë mirë, sepse ai është një djalë inteligjent. Ka cilësi të rëndësishme, është sulmues, di të krosojë shumë mirë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë. Ai luan mirë futboll, ka një top të mrekullueshëm të daljes së parë, më kujton Douglas Costa. Ai është gjithashtu një lojtar që punon shumë dhe është i rëndësishëm”.

Rimëkëmbja e Federico Chiesa: “Do të isha i lumtur nëse Chiesa do të kthehej para Kupës së Botës. Duhet të jemi realistë, në këtë moment nuk mund të mbështetem te Federico, por e dinim”.

E ardhmja e Denis Zakaria: “Është mirë, ai luajti një ndeshje të shkëlqyer kundër Sassuolos. Nuk flas për tregun e transferimeve, kanë mbetur edhe dhjetë ditë dhe gjithçka mund të ndodhë. Ekipi duhet të mendojë për ndeshjet, merret klubi me pjesën tjetër”.

Gara e titullit: “Në letër, Milani është favorit sepse e fitoi titullin sezonin e kaluar. Interi është forcuar, pastaj sezoni është i gjatë. Ne duhet të mendojmë për veten dhe të përmirësojmë atë që bëmë sezonin e kaluar. Në këtë moment nuk mund të jemi favoritë, duhet vetëm të punojmë dhe të rrimë në heshtje. Për t’i fituar ndeshjet duhet të dimë të vuajmë”.