Gjykata e lartë e Tajlandës ka pezulluar nga detyra zyrtare kryeministrin Prayuth Chan-ocha. Partitë opozitare të vendit ngritën një çështje duke deklaruar se kryeministri Prayuth e kishte tejkaluar mandatin e tij në detyrë. Kushtetuta e Tajlandës i kufizon me dy mandate kryeministrat në detyrë.
Kundërshtarët dhe aktivistët politikë që kërkuan largimin e Prayuth kishin argumentuar se mandati i tij filloi kur ai u bë udhëheqës i juntës dhe u emërua kryeministër i qeverisë së re ushtarake në gusht të vitit 2014.
Ish-shefi i ushtrisë mori pushtetin pas grushtit të shtetit të vitit 2014-të dhe më pas mbajti detyrën në 2019-n pas zgjedhjeve të kontestuara nga opozita.
Sipas këtij pretendimi mandati i tij duhet të përfundojë këtë javë. Pritet ende një vendim përfundimtar, por gjykata urdhëroi pezullimin e tij teksa çështja po shqyrtohet. Kjo vjen pasi gjatë viteve të fundit ai është përballur me rritjen e opozitës edhe pse i mbijetoi një vote mosbesimi kundër tij muajin e kaluar.
Disa kohë më parë, protestuesit ishin mbledhur jashtë ndërtesave të parlamentit në kryeqytet, Bangkok, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Mbështetësit e tij thonë se mandati i tij filloi vetëm në vitin 2017-të, kur hyri në fuqi një kushtetutë e re, ose edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme në 2019-n që e panë atë të zgjedhur në pushtet.
Sipas këtyre kushteve, ai teknikisht mund të vazhdojë të shërbejë deri në vitin 2027, nëse fiton zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Zëvendëskryeministri Prawit Wongsuwan, 77 vjeç, gjithashtu një ish-shef i ushtrisë, ka të ngjarë të bëhet kryeministri i përkohshëm, sipas linjës së pasardhësve të kabinetit.