Pep Guardiola ka thënë se nuk e di të ardhmen e Bernardo Silvas, por do të dëshironte që ai të qëndronte në “Etihad Stadium”.
Duke folur për “Manchester Evening News” në prag të ndeshjes së parë të Manchester Cityt për sezonin e ri në Premierlig, kundër West Ham Unitedit, Guardiola u pyet për të ardhmen e portugezit.
Do të më pëlqente nëse Bernardo do të mund të vazhdonte këtu sepse ai është një lojtar special për të gjithë ne në dhomat e zhveshjes, por nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ajo që do të ndodhë do të ndodhë”, tha ai.
“Nëse ai qëndron, është perfekte. Nëse në fund ai duhet të largohet, sepse futbolli është i tillë, klubet kanë një marrëveshje, lojtari ka dëshirën dhe unë nuk do të jem arsyeja për t’ia prishë dëshirën”, shtoi Guardiola.
Trajneri i kampionëve të Anglisë gjithashtu tha se nuk ka oferta për Silvan momentalisht.
27-vjeçari është i lidhur me një transferim te Barcelona, pasi besohet se është edhe e dëshira e tij për të kaluar në “Camp Nou”.
Megjithatë, kjo lëvizje nuk duket se mund të realizohet lehtë. Sipas raportimeve, Frenkie de Jong fillimisht duhet të largohet nga Barça, për t’i hapur rrugë klubit për të nënshkruar me Silvan.
Ndryshe, Bernardo Silva ka kontratë të vlefshme me Manchester Cityn deri më 30 qershor 2027.