Dokumentet e publikuara të hackerave Homeland Justice, të cilët pretendojnë se qëndrojnë pas sulmit kibernetik të pak javëve më parë ndaj faqeve të ministrive shqiptare e platformës e-Albania kanë zbuluar një tjetër histori me hackera.
Në dokumente e publikuara del një material pdf që tregon për korrespondencën mes prokurorit bjellorus të çështjes me palën shqiptare për një sulm të kryer nga një shtetas bjellorus, i cili akuzohet se ka vjedhur të dhënat e 131 bankave e institucioneve financiare në botë, mes të cilave 21 janë në Shqipëri.
Bëhet fjalë për një sulm të kryer në vitin 2020, i cili po hetohet nga prokuroria bjelloruse e cila ka kërkuar për këtë edhe ndihmën e autoriteteve përkatëse shqiptare duke iu drejtuar zyrtarisht në nëntor të vitit 2020.
Ndër materialet e vjedhura nga hackeri bjellorus janë të dhënat e kartave dhe kredive bankare nga 21 banka e institucione financiare në Shqipëri, të cilët u janë shitur palëve të treta.Personi i arrestuar në Bjellorusi akuzohet për ‘spiunazh komercial’ ndërsa sipas prokurorisë bjelloruse ai ka përdorur programe speciale për thyerjen e sistemeve të sigurisë duke vjedhur të dhënat sekrete të cilat i ka shitur më pas në ‘Dark Net’.Më herët hackerat e Homeland Justice, kanë publikuar email-e e dokumente të tjera zyrtare, ndërsa para dy ditësh publikuan numrate teleëfonit dhe numrat e kartave të identitetit të shtetasve shqiptarë, ndërsa kryeministri Rama deklaroi pas sulmit se gjithçka ishte rikuperuar me sukses dhe se të dhënat e qytetarëve janë të sigurta.