Uashingtoni së shpejti do të paraqesë një “hartë ambicioze rrugore” për të forcuar marrëdhëniet tregtare me Tajvanin, tha të premten një zyrtar i lartë amerikan.
Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për Azi-Paqësorin, Kurt Campbell tha se administrata amerikane do të “vazhdojë të forcojë lidhjet me Tajvanin, duke përfshirë lidhjet ekonomike dhe tregtare”.
Një “udhërrëfyes ambicioz” për këto çështje do të paraqitet “në ditët në vijim”, shtoi Campbell.
Vizita e fundit në Tajvan nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, shkaktoi pakënaqësi të madhe në Pekin, i cili e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij.
Pelosi tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk mund të lejojnë Kinën të normalizojë një nivel të ri presioni ndaj Tajvanit, të cilin e konfirmoi me stërvitje ushtarake pas vizitës së saj në ishullin e pretenduar nga Pekini.
“Ajo që ne kemi parë me Kinën është se ata po përpiqen të krijojnë një lloj normaliteti të ri, por ne nuk mund ta lejojmë që të ndodhë,” tha Pelosi.
Kina tha të mërkurën se kishte “përfunduar detyra të ndryshme” rreth Tajvanit, por do të vazhdonte patrullimet e rregullta.
I zemëruar nga vizita e javës së kaluar nga Pelosi, një kritik i zëshëm ndaj Kinës, Pekini zgjati stërvitjet e tij më të mëdha ndonjëherë rreth Tajvanit që fillimisht ishin planifikuar të zgjasin katër ditë.