Një e moshuar është arrestuar në aeroportin e Varshavës, pasi tentoi të kalonte 5 kilogramë heroinë në doganë, me vlerë prej 515 mijë dollarë.
Washington Post bën me dije se zyrtarët e doganës në aeroportin Frederic Chopin vendosën të kontrollonin bagazhin e të moshuarës, sepse kishin dyshime për sjelljen e saj gjatë udhëtimit. Ata gjetën heroinë në valixhen e saj.
Gruaja udhëtoi nga Afrika në Kanada përmes Polonisë. Ajo tha se nuk kishte asnjë lidhje me heroinën e gjetur dhe se anëtarët e familjes i kishin dhënë një valixhe me dhurata për të afërmit në Kanada.
Ajo u arrestua nën dyshimin për posedim të paligjshëm të opiateve. Asaj i është caktuar masa e paraburgimit për tre muaj dhe prokurorët kanë nisur hetimet.
Sipas ligjit polak, ajo përballet me 15 vjet burg për posedim të paligjshëm të lëndëve narkotike.