Nga Mero Baze/

Sot ka një zhvillim të ri. Ilir Meta ka pranuar se Autoriteti i Dosjeve ka nxjerr sekretin shtetëror rreth dosjes së tij dhe për këtë ka premtuar se do ta padisë. Nuk e ka keq si ide. Të qenit bashkëpunëtorë sigurimi është sekret shtetëror i rregulluar me ligj dhe duhet të respektohet ligji. Dhe Ilir Meta ka të drejt të mbrohet për nxjerrje sekreti nëse ka qenë spiunë. Nëse nuk ka qenë ska pse shqetësohet se nuk ka sekrete të tilla.

Autoriteti e ka respektuar ligjin deri tani, pasi nuk ka akuzuar direkt Ilir Metën si bashkëpunëtorë sigurimi, por i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë të shfuqizoj klauzolën që e pengon atë të hetojë për politikanët të lidhur me Sigurimin e Shtetit, që kanë marrë një herë certifikatë pastërtie nga Komisionet “Mezini” dhe “Bezhani” në vitet 90.

Për këtë i referohej në shkresën bashkangjitur gjetjes së një dokumenti ku studenti Ilir Metaj ka denoncuar “me teknika operative” një bashkëstudent të tij që ka folur për planet e veta për arratisje. Të gjitha dyshimet e besueshme janë se bëhet fjalë për ish Presidentin Ilir Meta, i cili mbiemrin zyrtar e ka Metaj, një tjetër problem ligjor ky me të shkuarën e tij.

Ilir Meta kishte shansin ta hidhte poshtë gjithçka duke autorizuar Autoritetin e Dosjeve të kërkonte për dosjen e tij dhe ta bënte publike. Nuk e bëri, përkundrazi u hodh në sulm kundër tij, duke i shantazhuar dhe personalisht.
Reagimi i sotëm dhe sidomos pretendimi për nxjerrje sekreti nga Autoriteti i Dosjeve , vulos faktin që ata kanë bërë publike një të vërtet. Praktikisht Autoriteti i Dosjeve i ka shkruar vetëm Kuvendit, dhe për të ilustruar kërkesën e tyre kanë treguar shembullin e ish studentit të ekonomikut Ilir Metaj. Por fakti që Ilir Meta këtë e quan nxjerrje sekreti, tregon se bëhet fjalë për të. Nëse nuk bëhet fjalë për të, ska pse i padit për nxjerrje sekreti.

Nga ana tjetër kërkesa e tij për të paditur autoritetin për manipulim të dosjes, bie ndesh me pretendimin për nxjerrje sekreti. Nxjerrja e sekretit nënkupton bërja publike e një të vërtete. Manipulimi që pretendon Ilir Meta nënkupton që është një gënjeshtër dhe asaj nuk ka pse ja ruan sekretin. Nëse dosja e Ilir Metës është e manipuluar sipas tij, atëherë ai nuk ka pse i padit për nxjerrje sekreti, se një dosje e manipuluar nuk është një dosje e vërtet dhe si pasojë nuk përmban nxjerrje sekreti, por nxjerrje gënjeshtre.
Kështu që Ilir Meta duhet të zgjedh të padis Autoritetin, ose si nxjerrës sekreti për të duke pranuar që ka qenë spiunë, ose si manipulues i dosjes së tij, meqë pretendon që nuk ka qenë. Por për këtë të dytën duhet të lejojë një herë autoritetin të bëj kërkime, pastaj ta padis.
Aktualisht ai do që edhe kërkime të mos bëhen, edhe të paditen për nxjerrje sekreti. Ilir Meta ka të drejt të mbrohet për “nxjerrje sekreti”, por për këtë më parë duhet të pranojë që është spiunë. Pasi të pranojë këtë, ai ka të drejt të padisë edhe Autoritetin për nxjerrje sekreti, nëse ja nxjerr. Por që të mbrohet kështu, duhet të pranojë që është spiunë dhe vet duhet të ik në shtëpi. Ndryshe ligji e detyron Autoritetin ti bëj publike “sekretin”.