Në programin IPARD III, do mundësohen investimet në mekanikë bujqësore apo pika grumbullimi për kulturat e drithit ashtu siç mundësohet sot për perimet dhe frutikulturën.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë një takimi në Dropull të Gjirokastrës, me fermerë të grurit dhe të misrit, ku folën për prodhimin në vend dhe rezultatet pozitive të të dy kulturave këtë vit.

“Së bashku me Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore të Shkodrës që është e specializuar për teknologjinë e misrit ndoqëm ecurinë dhe diskutuam trajtimet me fermerët pranë fermës Beqari, që kultivon 500 ha drithëra”, shprehet ministrja.

Ajo theksoi se, puna e bërë në kanalin ujitës Zhulat në Gjirokastër dhe sidomos kanalit ujitës me rezervuarin e Doftisë në Dropull si dhe rehabilitimi i pjesshëm i 3 digave po në bashkinë Dropull ka tjetërsuar situatën duke mundësuar që uji të shkojë në parcela pas shume viteve.

Gjithashtu bëri të ditur se, dyfishimi i numrit të përfituesve të naftës falas ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e produktivitetit për punët e mekanizuara.

“Ndava me fermerët se kemi kërkuar pranë Komisionit që në Programin IPARD III, të mundësohen investimet në mekanikë bujqësore apo pika grumbullimi për kulturat e drithit ashtu siç mundësojmë sot për perimet dhe frutikulturën”, tha Krifca.