Tashmë është zyrtare, Ennur Totre do të vijojë karrierën e tij në Ukrainë tek ekipi Vorskla Poltava.
Ashtu siç SuperSport ka njoftuar disa javë më parë, 25-vjeçari do të transferohet në skuadrën ukrainase, që ka blerë kartonin e mesfushorit nga kampionët e Shqipërisë. Vetë lojtari ka njoftuar këtë të hënë përmes një postimi në rrjetet sociale se ka ndërprerë bashkëpunimin me bardheblutë, duke theksuar se ka qenë pjesë e ekipit më të suksesshëm në Shqipëri.
“Jam shumë i lumtur që kam qenë pjesë e skuadrës më të madhe në Shqipëri në një vit të jashtëzakonshëm, ku falë një pune të madhe morëm titullin kampion. Aventura ime me Tiranën përfundon këtu, duke qenë mirënjohës ndaj presidentit, drejtuesve, stafit teknik dhe të gjithë lojtarëve që kam punuar gjatë këtij viti. Pa diskutim, një falënderim i veçantë shkon për tifozët e mrekullueshëm që më kanë qëndruar pranë çdo ditë, ju jeni krenaria e qytetit. Ju uroj shumë suksese në vazhdim, Forca Tirona“, shkruan Totre në postimin e tij.