Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga starti zyrtar i Kategorisë Superiore, ekipet po bëjnë edhe përgatitjet e fundit për të plotësuar ekipin. Ndërkohë që së fundmi ka pasur ndryshime edhe në stol, si në rastin e Bylis që u detyrua të ndryshonte trajner pak ditë përpara startit, apo Partizanit më parë.
Por kush do të jenë 10 trajnerët që do të drejtojnë ekipet e elitës së futbollit shqiptar përgjatë këtij sezoni. E nisim me kampionët në fuqi, Tirana e cila konfirmoi për këtë sezon trajnerin e vjetshëm, Orges Shehi.
Rivalët e Partizanit sakaq larguan Dritan Mehmetin dhe në vend të tij erdhi italiani Giovanni Colella. Nënkampionët e Laçit kanë ndryshuar gjithashtu trajner në raport me sezonin e kaluar dhe në stol për këtë vit do të jetë Dejan Vukicevic.
Verilindorët e Kukësit i kanë besuar stolin Skënder Gegës i cili vjet drejtoi ekipin e Skënderbeut.
Teuta konfirmon sërish Renato Arapin edhe për këtë sezon, njësoj si Vllaznia që konfirmoi Mirel Josën. Pas largimit të Jeton Beqiri në stolin e Bylis do të ulet gjirokastriti Arian Bellai.
Egnatia do të ketë në stol për sezonin e ri Edlir Tetovën, Erzeni, Xhevahir Kapllanin dhe Kastrioti i ka besuar ekipin sërish Emiljan Çelës.