Nga Neda Balluku/

Jam kurioze të lexoj të gjithë ata që mitizuan veshjen “normale” të Kryeministres finlandeze duke e vënë në funksion të kryqit dhe linçimit për veshjet e politikaneve gra dhe vajza në Shqipëri. Çfarë mendoni tani që patë të njëjtën heroinë thjeshtësie, duke kërcyer me meshkuj e femra, sikur të mos ishte fare as kryeministre e as në politikë aktive? Do luanit nga mendja nëse do shihnit tonat ashtu?

Dy gjëra shumë shkurt dua të them;

E para: politika nuk ka pse vret njeriun i cili ndërkohë që vë ligje e merr vendime, po njësoj ha, pi e kërcen.

E dyta: Ja (edhe) përse duhen gratë në politikë. Sepse thyejnë kufinjtë e moslejimeve në drejtim të pranimit të aspektit njerëzor. Një grua që vishet mirë, kërcen në party dhe është njësoj si të gjitha ne, ka aftësinë të çmitizojë kostumin mbytës të pushtetit e politikës, duke e zbritur me këmbë në tokë e afruar drejt nesh.

Qenkan tre: Sanna Marin apo secila nga gratë tona në politikë, kanë mundësinë të shpalosin lirinë dhe feminilitetin e tyre duke e hapur politikën në drejtime të pamenduara më parë. Sepse le ta themi; gjer sot, në të gjithë botën, politika është parë me këndvështrim maskilist kostumesh e kollaresh. Me limite burrërore dhe si pasojë, ashtu jemi edukuar të gjithë. Nuk ka përse të jetë kështu! Konservatorizmi infekton politikën po njësoj. Por konservatorizmi është i pari që përfiton nga liberalizmi.

Lërini vajzat të kërcejnë, të vishen, të pijnë përgjegjshëm dhe të merren me politikë e të bëhen kryeministre. Bën mirë. Të tjera gjëra janë të dëmshme. Si bindja që duhen shtuar rradhët e traditës maskiliste.