Zhdukja misterioze e një prej personave më të përfolur në vend në botën e krimit, Ervis Martinaj, krijon një problem të rëndë moral me policinë shqiptare. Natyrisht që nuk jam gati të besoj të gjitha çfarë dëgjoj për korruptimin e policisë, apo gjithë shefave të rajoneve, por mënyra se si po flitet pas zhdukjes së tij, tregon se të gjithë kanë ditur gjithçka.Kanë ditur ku ka qenë në hotel, ku ka qenë në Tiranë, ku ka qenë në Shijak, ku ka qenë në Laç etj. Kanë dhe mesazhet e tij të fundit. Pra policia e ka pasur atë thuajse nën kontroll. Nuk di a është gjallë apo është zhdukur, por e sigurtë është se po të kishte bërë detyrën policia, do ishte gjallë dhe në burg.Tani që fantazia është çliruar dhe gara është mes atyre “gazetarëve” që kanë më shumë fantazi dhe jo më shumë fakte, bie në sy se kryefantazisti i historive të tilla në botën shqiptare, Sali Berisha, nuk ka folur.
Ai që e shfrenon fantazinë për çdo të kërkuar duke e lidhur me Edi Ramën, apo që në rrethana të tilla të ngjashme e masakron policinë, duke u shtuar të vërtetave të hidhura të saj dhe dhjetëra fakte të sajuara, ka heshtur dhe është strukur. Njësoj ka bërë dhe në vitin 2018, kur i njëjti personazh ka pasur probleme me një përleshje në Bllok.Pashë postimet e fundit të tij dhe akuza e fundit ishte që Edi Rama kishte vrarë dikë në Elbasan, pas një përleshje mes dy banditëve. D.m.th. kishte caktuar që ky vrasësi ishte Edi Rama.
Por ndërkohë që Shqipëria vlon nën pushtetin e një telenovele kriminale, ku shfaqen njëri pas tjetrit policë të inkriminuar, mafiozë që bëjnë aleanca kundër njëri- tjetrit dhe policia si Big Brother që vetëm i shikon, ky kryefantazisti ka qepur gojën.Po ashtu ka heshtur dhe numri 2 i partisë së tij, ish- ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Ai zakonisht krekosej kur dëgjonte për histori kriminale. Qysh pas shfaqjes “non grata” nga qeveria e Britanisë së Madhe, ai nuk flet më për kriminelë, pasi me sa duket ka lexuar një letër ku i rreshtojnë dhe atij kriminelët e vet të listës B9.Kjo tregon se në betejën e tij politike dhe spekulimet e tij kundër krimit, ai nuk është kundër krimit, është kundër kriminelëve kundërshtarë. Kjo tregon se ky njeri është si palë në llafazanërinë e tij kundër banditëve, pasi është vetëm kundër atyre që u bien më qafë banditëve të tij.
Fakti që Berisha dhe të vetët nuk flasin për këtë rast, e rëndon dhe më shumë Policinë e Shtetit, jo se janë në sintoni me të, por se minimalisht në këtë rast nuk janë nën presionin e tyre për të mos hetuar dhe arritur në përfundime të sakta.Ndërsa jemi të detyruar të dëgjojmë lloj lloj versionesh për zhdukjen Ervis Martinaj dhe asnjë konfirmim serioz nga Policia e Shtetit, për faktet që përfliten në emër të saj, ata nuk kanë më as ndonjë alibi se janë nën presionin e opozitës në këtë rast.
Opozita i ka lënë të qetë dhe gati i adhuron për atë që kanë bërë për ta mbikëqyrur dhe ruajtur Ervis Martinaj. Në fakt, do ta kishin shpëtuar po të kishin bërë detyrën, por ndoshta se kanë menduar më të keqen.
Më e keqja u ka ndodhur vet atyre, që sot më ngjajnë me ata policët e dikurshëm të Flamur Nokës, kur katër drejtorë të mëdhenj policie drekonin me dikë që është në burg për vrasje polici, duke kënduar me çifteli. Jepuani atyre policinë të paktën, se e marrin më lehtë në situata të tilla.