Trajneri legjendar i Arsenalit, Arsene Wenger ka zbuluar se klubi ishte munduar t’i transferonte nga Barcelona dyshen Lionel Messi e Gerard Pique në të njëjtën kohë kur e kishte transferuar të riun e atëhershëm, Cesc Fabregas.

Madje, trajneri francez tregon se londinezët e kishin kontaktuar klubin katalunas rreth mundësisë së transferimit të Messit e Piques.

“Të jem i sinqertë, kur e transferuam Cesc, i kontaktuam po ashtu edhe Messin e Piquen”, theksoi Wenger për televizionin “ITV4”, përcjell “Gazeta Express”.

“Pique në fund vendosi të shkonte në Man United, Fabregas vendosi të na bashkohej neve, ndërsa Barcelona e mbajti Messin natyrisht. Kështu kishte ndodhur”, vazhdoi Wenger.

Fabregas i ishte bashkuar Arsenalit nga Barcelona në shtator të vitit 2003 në moshën 16 vjeçare dhe e kishte bërë debutimin me “Gunners” pas një muaji në League Cup ndaj Rotherham United.

Ai më pas i zhvilloi 303 ndeshje me klubin nga Londra veriore, duke e ndihmuar që ta fitojë FA Cup në vitin 2005 dhe duke përfunduar në finale të Ligës së Kampionëve para se të rikthehej tek Barça në vitin 2012, shkruan “Gazeta Express”.

Edhe Pique pas disa vitesh të kaluar në “Old Trafford” u rikthye në “Camp Nou”, ndërsa Messi qëndroi tek Barça deri vjet, duke u bërë legjendë e klubit dhe e futbollit.