Nga Mero Baze/
Sali Berisha dje vonoi disa orë t’i dilte në krah Ilir Metës. Ishte e pazakontw që Ilir Meta kishte vënë kujën kundër SPAK qysh në orën 11 paradite dhe ai reagoi vetëm rreth orës 20:00 në mbrëmje. E gjithë ajo periudhë heshtjeje, hezitimi apo përsiatje e tij, e mbart brenda gjithë të vërtetën e reagimit kriminal ndaj drejtësisë të dyshes Berisha- Meta.
Fillimisht Sali Berisha ka heshtur jo se nuk ka kontakt me Ilir Metën, por se ka menduar se është një nga ato “lojërat e luftës” që Ilir Meta bën shpesh me drejtësinë në vend. Reagimi i egër i Ilir Metës dhe njerëzve të tij në këtë rast është pjesë e regjisë.
Më pas reagoi ashpër ambasadorja e SHBA dhe Ilir Meta u desh të zbythej bashkë me njerëzit e tij. Situata u bë më serioze në orët e mbasdites, kur nisën të rrjedhin detaje nga dosja që SPAK ka nisur hetimin.
Ishte e qartë se Ilir Meta ishte në telashe dhe Sali Berisha në një telash edhe më të madh, me heshtjen e tij. Ai duhet doemos të reagonte, t’i ngjante dhe ta tejkalonte në egërsinë e reagimit të tij, Ilir Metën. Për shumë arsye. Për të vetat dhe të Ilir Metës.
Arsyeja ishte se ai kuptoi që drejtësia po vepronte pa leje të tyre. Nuk është e sigurtw sa fuqi ka drejtësia për të shkuar deri në fund, apo për thellësinë e fakteve që do të hetojw. Por kjo atyre nuk ju hyn në punë. Sali Berisha dhe Ilir Meta, nuk janë mbrojtur ndonjëherë me fakte, por me shantazhe ndaj drejtësisë.
Nëse ju bie ky sistem, ata nuk ndjehen më të qetë edhe sikur prokuror të çështjes të vësh Argitën dhe gjykatës Shkëlzenin. Ata kanë mbijetuar 30 vjet, duke mos e lejuar drejtësinë t’i hetojw dhe gjykojw, dhe duke ndryshuar vendime rrugës.
Për të bllokuar hetimet ndaj Argita Berishës dhe Damir Fazlliçit më 2008, për pastrim të provuar parash, Sali Berisha përdori dhe Policinë e Shtetit të mos lejonte Prokurorinë të ndalte Fazlliçin në Rinas dhe më pas përdori një gjykatës të tij për të mos e filluar çështjen.
Për të ndalur thirrjen e djalit të tij në Prokurori pas tragjedisë së Gërdecit, ai shantazhoj zëvendësprokurorin e Përgjithshëm, duke e akuzuar si prokuror të diktuarës dhe duke e detyruar atë të jepte dorëheqje, ndërsa shokët e tij të klasës, anëtarë të Gjykatës së Lartw që i dhanë garanci për të mbrojtur ortakët e djalit të tij në Gërdec, i mbajti në detyrë.
Prokuroria as guxoi ta thërriste për kafe Shkëlzen Berishën, edhe pse faktet i kishte dhe i ka mal mbi tavolinë, për implikimin e tij direkt si pronari “de facto” i biznesit vdekjeprurës në Gërdec.
Për të ndaluar hetimin dhe ndëshkimin e tij për vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm, të paarmatosur dhe të parrezikshëm më 21 Janar 2011, ai ngriti një Komision parlamentar që vuri nën akuzë për grusht shteti gjithë piramidën e shtetit shqiptar, që nga presidenti i Republikës, kryeprokurorja e Përgjithshme dhe katër gazetarë.
Arsyeja ishte që hetimi të konsiderohej në konflikt politik me qeverinë dhe të zhvlerësohej. Dhe e vazhdoi luftën duke bërë sulme poshtëruese ndaj kryeprokurores, derisa çështja u varros pa u thirrur ai në Prokurori.
Një natë para se Ilir Meta të gjykohej për videon e famshme, ai i shkoi demonstrativisht në shtëpi të tij, për t’i treguar atij se do përdorte autoritetin e vet për të mbajtur larg drejtësinë prej tij. Dhe shkoi në një shtëpi aspak miqësore, mosbesuese ndaj tij. Shkoi gati si peng për të provuar devotshmërinë. Ashtu ishte dhe mbrëmë.
Ky është mekanizmi mbrojtës i tij. Ai kërkon të mos i preket miti që ai mund të hetohet dhe gjykohet. Nuk i intereson thellësia apo pesha e hetimit. I intereson të mos guxojw njeri ta hetojë.
Ky është dhe shpjegimi pse ai dje vonë, reagoi me aq egërsi dhe ulërima për Ilir Metën. Reagoi se kuptoi që miti i tyre po bie dhe i pari në radhë shkoi aleati i tij. Ai e di që i dyti e ka radhën ai. Dhe nuk i trembet dënimit, më shumë se sa çmitizimit të tij, si njeri që nuk guxon kush ta hetojw.
Klithmat e tij dje në errësirë, janë kuisjet e një bishe që ndjen se po i afrohet rreziku. Dhe rrezik për të është “çburrërimi” për ta çuar para drejtësisë.
Të tjerat për të nuk kanë rëndësi se ai e di vetw çka bërë. Ajo çfarë e ka mbajtur në këmbë, është se nuk ka guxuar njeri ta përballë me krimet e veta. Ndaj i duket fundi i botës që dikush mund t’i trokasw tek porta.