Manchester United synon që të përforcojë sulmin dhe ka si objektiv lojtarin e Bolonjës Marko Arnautoviç. Por klubi italian refuzoi ofertën prej 7.5 milionë paundësh të bërë nga anglezët.
Megjithatë synimi i radhës në ofensivë i “Djajve të kuq” ka sjellë reagime të shumta nga fansat e klubit. Në rrjetet sociale ata kanë shprehur kundërshtinë për afrimin e lojtarit austriak, të cilin e quajnë një racist që nuk ka vend te Junajtid.
Ish-lojtari i Uest Hemit u gjobit nga UEFA pasi ofendoi shqiptaro-maqedonasin Ezgjan Alioski në takimin e Euro 2020 , që përfundoi 3-1 në favor të Austrisë.
Pasi realizoi golin e tretë, Arnautoviç bëri ofendime anti-shqiptare ndaj Alioskit. Sulmuesi, i ati i të cilit është serb, kërkoi falje për veprimin dhe e bëri të qartë se ai nuk është racist.
Nisur nga kjo ngjarje, janë të shumtë tifozët e Junajtid që e quajnë të papranueshme që fanellën e ekipit ta veshë një futbollist i tillë.