Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, në një intervistë për Top Channel, foli mbi masat e Mbretërisë së Bashkuar për të luftuar korrupsionin, për të ndërprerë lidhjet midis politikës dhe krimit dhe për të ndaluar fluksin e emigrantëve të paligjshëm në Britani.
Ai theksoi se Britania e Madhe do të vijojë të ndalojë hyrjen në territorin e saj të personave të tjerë dhe kjo është për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, vendosjen përpara përgjegjësisë dhe ndalimin e personave me lidhje kriminale apo korruptive.
“Ju e keni parë artikullin e Sir Stuart Peache të dërguarit special të kryeministrit për Ballkanin Perëndimor disa javë më parë ku u njoftua vala e parë e personave që u ndalohet hyrja nga Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria. Vala e parë përfshinte disa persona të një profili të lartë nga Shqipëria me lidhje korruptive dhe në kriminalitet të cilët nuk janë të mirëseardhur të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ne do të vijojmë të ndërmarrim veprime të ngjashme në lidhje me këtë. Ne nuk i publikojmë emrat për disa arsye ligjore. Ndjesë që nuk mundem të flas për numrin e tyre apo emrat e këtyre individëve. Është në dorë të individëve të vetëdeklarohen. Kjo nuk është për një individ. Kjo është për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, vendosjen përpara përgjegjësisë dhe ndaluar ata me lidhje kriminale përfshi korruptive të cilët ndjejnë se nuk i gjen asnjë pasojë”, tha ai.
Ambasadori King-Smith u shpreh se “kërkohet kohë për të arritur disa standarde e më pas të mbërrijmë në vendimmarrje”.
“Këto lloj ndalesash ndërmerren nga Sekretarja e Punëve të Brendshme ndërsa, sanksionet antikorrupsion nga Sekretari i Punëve të Jashtme dhe më gjerësisht për ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë nga prokurorë të pavarur. Ju do të shikoni më shumë rreth kësaj, më vonë këtë vit e më tutje. Kjo do jetë diçka që do të bëhet rutinë. Sapo prova dalin në dritë, raportime të gazetarëve apo nga të tjerë, ne do të shikojmë se çfarë veprimesh do të marrim të ndihmojmë qëllimin final në dhënien fund pandëshkueshmërisë”, shtoi ai.
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, ambasadori britanik u shpreh se “ne e njohim rëndësinë e Shqipërisë në shumë mënyra”.
“Ne e admirojmë pasi Shqipëria është një ndër partnerët tanë më të mirë në çështjen që ka të bëjë me pushtimin rus të Ukrainës. Ajo që po bën Shqipëria në Këshill të Sigurimit është kampione në kërkimin e llogaridhënies dhe një partnere e rëndësishme në NATO. Ne do të vijojmë të bashkëpunojmë ngushtësisht. Por si miq të fortë e aleatë ne duhet ta ndihmojmë njëri tjetrin ekonomikisht siç edhe e thatë”, tha ai.
Ambasadori theksoi se “ne kemi mundësuar vendosjen e dy miliard stërlinave për të ndihmuar uljen e kostove dhe përmirësuar përfshirjen britanike të bizneseve dhe në infrastrukturë përfshi shërbime dhe fusha të tjera”.
“Kjo do të thotë se do të shikoni më shumë investime britanike këtu. Ne kemi hapur mundësinë për asistencë zhvillimi do të marrë kohë për të parë impaktin por kjo do të ndihmojë në sjelljen e 100 milionë dollarëve investime në ndihmë të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Ne do të na shikoni tani në të qenurit një partner i fortë në zhvillimin e Shqipërisë”, tha ai.
Mbi fluksin e emigrantëve të paligjshëm në Britani, ai tha se “ne jemi shumë të shqetësuar për rritjen e numrit të shqiptarëve që kalojnë kanalin me gomone”.
“Ky është një fenomen në rritje në Europë, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar. Dhe është fundi një udhëtimi të gjatë dhe të rrezikshëm ndërmarrë nga njerëzit e këtushëm dhe nga vende të tjera. Problemi qëndron se këtyre personave u premtohet një imazh i rremë mbi çfarë do të gjejnë kur të arrijnë. Jemi tejet të shqetësuar edhe sepse është e qartë se grupe kriminale po përfitojnë nga trafiku i njerëzve. Nuk janë vetëm të rinj që vendosin të veprojnë vetëm. Ata ndihmohen dhe shfrytëzohen. Duhen ndihmuar ata të rinj që duan të ikin dhe familjet e tyre të kuptojnë se nuk është kjo gjëja e duhur për tu bërë”, tha ai.