Menjëherë pas përfundimit të tre ditëve magjike të Sunny Hill Festival, një tjetër grup i rëndësishëm muzikor do të performoje sot ne Tiranë. Grupi nga Finlanda “Apocalyptica” do të ngjitet sonte në skenën e Amfiteatrit të Liqenit, duke sjellë hitet e tyre më të mira.Pak orë para shfaqjes, ata u pritën në një takim nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u dhuroi edhe Kullën e Sahatit. Veliaj ftoi qytetarët që të mos e humbasin këtë supershow që bashkon metalin dhe muzikën klasike.
“Kemi një lajm fantastik për të gjithë metalarët e Tiranës, por edhe ata që dëgjojnë muzikë klasike: “Apocalyptica” i bashkon të dyja rrymat. Ju ftojmë të gjithëve tek Amfiteatri i Liqenit, një tjetër hapësirë e transformuar. E di që për tre ditë shumë vetë janë lodhur, se kanë qenë nga ana tjetër e liqenit për Sunny Hill Festival, tani kthehemi tek Amfiteatri, për miqtë tanë nga Finlanada. Ajo që presim të shohim sot në Tiranë, bashkë me Eugent Bushpepaj dhe “Apocalyptica” është një shfaqje ku duam të festojmë Tiranën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi raportet speciale që ekzistojnë mes Tiranës dhe Helsinkit, teksa theksoi se urat më të mira të bashkëpunimit janë ato mes njerëzve.
“Finlanda do i bashkohet Shqipërisë dhe vendeve të tjera, si anëtari më i ri i NATO-s, dhe unë besoj se në këto kohëra të vështira që jetojmë sot, kultura ka një rol shumë special. Ne e pamë këtë gjatë kohës së Covid, muzika, arti, teatri, opera, metali, të gjithë zhanret e artit dhe të muzikës e kulturës kontribuan që njerëzit të kishin një terapi mendore. Sot, që jemi në këtë ditë ku jemi hapur, duam të shfrytëzojmë maksimalisht, të shijojmë jetën dhe të japim një mesazh që kombet të afrohen, jo vetëm kur politikanët marrin disa vendime dhe bëjnë disa protokolle, por kur qytetarët, muzikantët, artistët shkëmbejnë me njeri-tjetrin”, nënvizoi ai.
Në emër të grupit të njohur “Apocalyptica”, Eicca Toppinen falenderoi kryebashkiakun Veliaj për pritjen dhe siguroi të gjithë dashamirësit e muzikës se do të kalojnë një natë magjike. “Jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe të gëzuar që më në fund ndodhemi këtu në Shqipëri. Është bukur kur vjen për herë të parë në një vend të ri për të luajtur dhe për të ndarë kënaqësinë e muzikës. Është hera e parë këtu dhe pashë gjëra shumë emocionuese, është shumë mirë dhe njerëzit janë shumë sjellshëm. Ndaj mendoj se ka për të qenë speciale”, deklaroi Toppinen.