Nga ARTUR AJAZI

Jo sot, por qysh në fillimet e saj, Partia Demokratike e Sali Berishës (dhe jo dhjetoristëve idealistë) u konceptua si një “organizatë e madhe me ish-komunistë”. Duke nisur nga kryetari i saj i pacënueshëm, nga ish-lideri dhe “udhëheqësi” saj, dhe duke zbritur në strukturat qendrore dhe në forumet e bazës, do tëtakosh dhe gjesh ish-komunist, bij ish-komunistsh me shumicë. Nuk është fjala për ata ish-komunistë të thjeshtë, që mbetën idealistë edhe kur u shkatërrua sistemi, por fjala është për ata që, ç’nuk fituan nga Enver Hoxha, nga PPSH dhe Sigurimi i Shtetit, dhe sot hiqen si “demokratë të kulluar”. Partia Demokratike në afro 3 dekada e ca, ka treguar se, “dekomunistizimin” e ka llafe pazari, demagogji, dhe fallcitet.

Sjellja e saj ndaj shtersave të persekutuara politikisht, poshtërimi që Sali Berisha dhe shpura e tij në 30 e ca vjet i bënë ish-pronarëve, pasurimi i shpejtë dhe marramandës i klaneve dhe kupolës së PD, janë fakte të pakundërshtueshme. Ajo parti kurrë nuk ka qenë ideologjikisht e djathtë, Sali Berisha parimisht nuk ka qenë kurrë i djathtë, dhe fryma e asaj force politike kurrë nuk ka qenë demokratike. Dajaku dhe dhuna ndaj Azem Hajdarit, sikterrisja që i bënë duke e quajtur deri “spiun i Sigurimit” në “RD”, apo dhe dhuna e paparë ndaj ish-të përkdjekurve poliktikë, janë fakte që askush në Partinë Demokratike të Sali Berishës nuk i kundërshton. Ajo forcë politike, është sot organizata më e madhe mbushur me ish-komunistë, bij dhe bijat e tyre, që kanë përfituar dje, dhe janë bërë milionerë sot duke shfrytëzuar pushtetin dhe “votën e lirë”.

Sali Berisha ka qenë dhe mbetet, persekutori më real i votës së lirë. Strukturat e asaj partie nga qendra deri në bazë, e kanë detyrim motivimin nga “udhëheqësi”, fjala dhe vepra e tij. Në degët e asaj partie në rrethe, mbi 90 per qind e stafit drejtues janë bij dhe bija të ish-drejtuesve të kohës së komunizmit. Atëhere, për çfarë “dekomunistizimi” e ka fjalën Sali Berisha kur thotë “pushtetin e kanë marrë sot bij të etërve”, kur partinë e tij e ka të mbushur me “ish-kalecë” të kohës së diktaturës ? ​Partia Demokratike ka sot fizionominë e kryetarit, frymën dhe “aromën” e liderit të përjetshëm. Askush nuk guxon të kërkojë atje, largimin e ish-komunistëve, e atyre që dikur rrinin në zyrat e ish-anëtarëve të Byrosë Politike, dhe sot hiqen sikur kanë qenë “desidentë të atij pushteti”. Në fakt, procesi i dekomunistizimit në Shqipëri, ka gjasa të vazhdojë edhe për 3 dekada të tjera, derisa nga skena politike të ikin ish-komunistët dhe ish-sekretarët e organizatave të PPSH, apo dhe pasuesit e tyre.

Shqipëria në BE, nuk mund të pranohet me politikanë të indoktrinuar qysh nga koha e komunizmit, dhe që mbajnë të gjallë frymën e tyre të përjashtimit dhe shtypjes. Si një “lojtar i vjetër”, Sali Berisha ka patur dhe ka një rol të rëndësishëm, në procesin e gjatë dhe rraskapitës të dekomunistizimit të skenës politike, por edhe të lënies jashtë saj të ish-agjentëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Dosjet e tyre, janë sot “shpëtimi” i Berishës për shumë arsye, ndaj dhe mban pranë shumë emra dhe figura të njohura të asaj kohe.