Nga Mero Baze/

Sali Berisha dhe Ilir Meta po përpiqen të “viktimizohen” për shkak të pasojave ligjore që mund të kenë nga ndryshimi i ligjit për dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe futja në ligjin e dekriminalizimit e klauzolës për personat e shpallur “non grata” nga vendet perëndimore, duke i njehësuar ato me vendimin për deportim që ekziston aktualisht në ligjin e dekriminalizimit.

Ndryshimet ligjore praktikisht mund të nxjerrin nga politika Sali Berishën dhe Ilir Metën, për shkak të së shkuarës së tyre, njëri gjatë komunizmit si spiun, e tjetrit pas komunizmit, si “minues i demokracisë dhe i akuzuar për korrupsion madhor”, bashkë me familjarët e tij.

Të dy duket se janë të qartë për këtë dhe po përpiqen të mos pushojnë as në gusht, për t’u dukur si viktima të aksionit të tyre opozitar dhe jo të shkuarës së tyre kriminale.

Dhe po përpiqen të gjejnë mënyra se si të duken viktima.

Pikë së pari, Berisha po përpiqet të përsërisë kundërvënien që bëri ndaj SHBA pas shpalljes person “non grata”. Duke fshehur aksionin kundër SHBA me aksionin kundër Lulzim Bashës, ai arriti të inkriminojë Partinë Demokratike në një masë të madhe, duke e paraqitur si një parti anti-amerikane, që zgjodhi të mbrojë Berishën para SHBA.

Spekulimet e Berishës që do të sillte demokracinë në PD, që do lejonte fraksione, që do sillte bashkimin dhe broçkulla të tjera që u shpallën gjatë kësaj fushate, në fund u fshinë dhe në krah të Berishës mbeti Flamur Noka dhe Edi Paloka, për të cilët i vetmi konsensus që ekziston, është që janë idiotë.

Asnjë figurë e PD nuk u afrua, asnjë fraksion nuk u lejua, asnjë nismë demokratike nuk u zbatua, asnjë rregull dhe statut i PD nuk u përfill. Përkundër kësaj, një grup banditësh me bazë kriminale në Angli dhe Evropën perëndimore u angazhuan në betejën e Berishës kundër SHBA, duke përdorur dhunë në mjediset e PD, çka çoi në listimin e tyre nga Britania e Madhe si persona “non grata”, në krye të së cilës qëndron Sali Berisha, por që nuk guxon t’i bëjë publik emrat e tyre, se i tremben banditët e tjerë.

Pra Berisha shpreson se në shtator, kur ligji ta ndalojë të merret me politikë, të zgjidhet në Kuvend apo në ndonjë post shtetëror, ai të ngrejë PD në këmbë, si viktimë që nuk po e lënë të marrë pushtetin. Bashkë me Ilir Metën ata shpresojnë se kjo skemë e viktimizimit, do t’i bëjë ata të dashur në sytë e popullit shqiptar, i cili sipas tyre, duhet të rehabilitoj bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe personat “non grata” të shpallur nga vendet aleate të Shqipërisë.

Së dyti, duke u vetviktimizuar, Berisha dhe Meta shpresojnë se do të qëndrojnë si tutorë të opozitës dhe do të luajnë fijet në prapaskenë, duke tentuar akte destabilizimi edhe për shkak të krizës me të cilën po përballet Shqipëria si shumë vende të botës, sa i përket çmimeve, mungesës së energjisë dhe rrezikut të inflacionit.

Ata e shikojnë krizën si një mundësi të madhe për t’u fshehur pas saj, ashtu si u fshehën herën e parë kundër SHBA, pas kostumit të Lulzim Bashës.

Së treti, ata duan të vetviktimizohen edhe për të mos dhënë llogari për opozitën e dështuar 9 vjeçare ku ata kanë diktuar gjithçka dhe tani njëri fajëson Lulzim Bashën e tjetri gruan e tij.

Për të kuptuar sa përgjegjësi ka Sali Berisha mbi gjithë çfarë ka bërë opozita në këto 9 vite, mjafton të dëgjoni çfarë thoshte ai një javë para se Lulzim Basha të distancohej prej tij. Berisha ishte njeriu që ka bekuar marrëveshjen Rama- Basha, njeriu që nxori deputetët nga Parlamenti duke djegur mandatet dhe që refuzoi të merrnin pjesë në zgjedhje.

Për ta kuptuar këtë, shikoni se çfarë qëndrimi armiqësor ka ai ndaj Astrit Patozit, i cili ka qenë kundër djegies së mandateve dhe ka kundërshtuar bojkotin e zgjedhjeve, duke marrë pjesë në to. Tani që bojkoti i zgjedhjeve dhe djegia e mandateve quhen gabime, për Berishën dhe berishistët, Patozi që nuk i ka bërë këto gabime, është edhe më armik se Lulzim Basha.

Kjo tregon se kriteri ka qenë dhe është kush vepron me kokë të vet, është armik i Berishës. Ndaj Berisha i druhet dhënies së llogarisë për çfarë ka ndodhur 9 vite në opozitë.

Akoma më keq Ilir Meta. Për të kuptuar se sa fuqi ka pas ai mbi vendimet e LSI, shikoni si e shkriu partinë brenda një ore dhe zëvendësoi Monikën e Tit Vasilin me veten dhe Agim Neshon. Akoma asnjë fjalë nuk ka thënë Monika si ja shkriu partinë brenda ditës. Dhe njeriu që e shkrin partinë brenda ditës, nuk paska pas fuqi të ndalte vendimet e kësaj partie brenda javës. Kjo është alibi për të mos dhënë llogari për dështimin e derisotëm dhe për t’u dukur se po rifillojnë një opozitë të re. Në fakt po nisin një gënjeshtër të re, me personazhe të vjetër. Tani edhe të përjashtuar nga politika me ligj, pas një muaji.