Hap pas hapi, lojë pas loje, Cristiano Ronaldo po shkon drejt largimit nga Manchester United, natyrisht, jo në mënyrën se si e imagjinonte ai.
Duke e pasur parasysh se United do ta luajë ndeshjen e ardhshme sezonale të dielën tjetër ndaj Arsenalit, kur edhe do të jetë i mbyllur afati kalimtar i verës, kjo i bie që 37 vjeçari mund ta ketë zhvilluar ndeshjen e fundit në “Old Trafford” fundjavën që shkoi ndaj Liverpoolit.
Më saktësisht, United do të luajë me liderin aktual të Premierligës më 4 shtator, ndërsa afati kalimtar i verës do të mbyllet më 31 gusht.
E kur kihet parasysh se United luajti më mirë pa “CR7” ndaj “Reds”, nuk ka dyshim se pesë herë fituesi i Topit të Artë do të largohet nga “Teatri i Ëndrrave”.
Mbetet të shihet se në cilin klub do të transferohet Ronaldo, i cili nuk dëshiron të qëndrojë në Man Utd pa pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve.
E tash, edhe United është i interesuar për të hequr dorë nga veterani i sulmit, edhe pse ai e ka edhe një vit kontratë me “Djajtë e Kuq”.