Sali Berisha nuk e ka fshehur mundësinë e bashkëpunimit me Ilir Metën në betejën e përbashkët politike që kanë kundër Edi Ramës, por në deklarata ai është shfaqur i rezervuar dhe pa një ftesë zyrtare për bashkëpunim.
Çfarë e pengon Berishën? Dy mund të jenë arsyet dhe që të dyja të brendshme. Së pari, Berisha i trembet që afrimi i Metës me të të ketë efektin e kundërt, pra të mos i sigurojë më shumë mbështetje mes elektoratit gri. Kjo do të dëmtonte kauzën e tij për të rrëzuar Edi Ramën, sepse vetëm militantët besnikë të PD-së, që ai i ka pas numrat nuk mjaftojnë për realizimin e këtij misioni.
Arsyeja e dytë mund të lidhet me faktin e marrjes së një refuzimi nga Ilir Meta. Ky i fundit e ka një arsye madhore pse ta bëjë këtë; non grata amerikane.
Me Berishën të përjashtuar nga çdo event, aktivitet e vizita të komunitetit ndërkombëtar, Ilir Meta nuk mund të shndërrohet në komerdare shpëtimi për të. Ish-Presidenti, që në muajt e fundit të presidencës dhe pas daljes nga zyra duket sikur i ka rregulluar marrëdhëniet me amerikanët, e di që ‘pusulla’ e të padëshiruarit i varet mbi kokë.
Duke pasur parasysh këtë, Meta e di gjithashtu se afrimi me Berishën rrezikon që ta përfshijë në listën e non gratave, ndaj duket se po tregohet i matur në këtë drejtim.
Por, sinjalet e dhëna së fundmi sugjerojnë se bashkëpunimi mes tyre është i pashmangshëm dhe jo më shumë për interesat e vendit se sa për interesat e ngushta vetjake dhe hesapet e hapura që kanë me ndërkombëtarët.
Megjithatë, sa më shumë ai të afrohet me Sali Berishën, aq edhe më shumë afrohet shpallja non grata. Vijën e kuqe të bashkëpunimit e dinë amerikanët, që së fundmi u shfaqën edhe të bashkuar në Kongres, kur dy partitë propozuan nismë ligjore të posaçme antikorrupsion për Ballkanin Perëndimor.
Meta e di që tejkalimi i kësaj vije të kuqe do ta shpallte non grata, çështja është a do ta kalojë? Përgjigja mbërrin me shumë mundësi nga shtatori e tutje.(Vox News)