Frenkie De Jong nuk është nga ata lojtarë që konsiderohen të paprekshëm për Barcelonën e trajnerit Xavi Hernandes. Madje, drejtuesit spanjollë kanë qenë të gatshëm të pranonin ofertën e Manchester United për mesfushorin holandez, mirëpo refuzimi i vetë lojtarit “hodhi në erë” tratativën.
Gjithsesi, merkato ende nuk është mbyllur dhe për De Jong vijon të ketë interes po nga Premier League, teksa emri i mesfushorit është lakuar si një opsion te Chelsea dhe Liverpool. Vetë lojtari nuk duket i bindur për kalimin më Angli edhe pse për disa ditë do të jetë në ishull dhe ndoshta mund të ndryshojë mendje.
25-vjeçarit i është dhënë leje nga ana e trajnerit Xavi për të shijuar disa ditë pushimi në Angli, edhe pse për një nga ekspertët e merkatos si Fabrizio Romano, një lëvizje e tillë nuk ka të bëjë me merkaton. Sipas italianit, De Jong mbetet i fokusuar për të vijuar karrierën me Barcelonën edhe pse nuk pranon të ulë pagën ashtu si blaugranët i kanë kërkuar.