(TemA)

Anisa Kostani, një vajzë e re, që ndër të tjera është edhe punonjëse policie, është kthyer në lajmin e ditës, pas një replike që ka pasur me gazetarët për punën e Policisë së Elbasanit.

Replika e saj ka qenë e pavend, por deri diku edhe mund të kuptohet frustrimi i policëve të Elbasanit, për shkak se prej kohësh kanë qenë nën akuza mediatike, se tolerojnë krimin në këtë qytet problematik.

Në rastin konkret, të vrasjes së ndodhur dy mbrëmje më parë për një shikim të gabuar, që solli edhe reagimin e Kostanit, vajza police ka pasur të drejtë, pasi nuk është përgjegjësi e policisë, se nuk mund të kontrollojë çdo njeri që çmendet dhe vret për një shikim.

Reagimi i saj, siç mësohet, në fakt ka qenë më së shumti i drejtuar për gazetarët e Elbasanit, të cilët në disa raste kanë bërë raportime të rreme kohët e fundit, për shpërthime në qytet, ndërkohë që duhet thënë se ka kohë që Elbasani më në fund është kthyer në një qytet normal dhe pa raportime për krime të rënda.

Kuptohet, asgjë nuk e justifikon reagimin e ashpër të saj, dhe për këtë me të drejtë edhe është pezulluar nga Policia.

Por kaq. Nuk ka pse masakrohet tani nga media si vishet, si zhvishet, ku i gjen lekët për pushime, çfarë muzike dëgjon etj etj.

Ajo është një vajzë e re që gaboi dhe për këtë është ndëshkuar.

Nuk ka pse përndiqet nga mediat, për t’ia nxirë jetën, pse e lëshoi më shumë se duhet gojën.

Se jo për gjë, por deri pak kohë më parë ajo ishte “ylli” i këtyre mediave që sot e sulmojnë, duke e nxjerrë atë nëpër emisione dhe portale, si një “fenomen”.

E pra, edhe atëhere ishte e njëjta vajzë që “zhvishej”, që dëgjonte këngë të “papërshtatshme” dhe bënte “jetë luksi”.

Ndaj mirë bëjnë që kërkojnë nga ajo dhe gjithkush tjetër, të respektojë median.

Por aman edhe media duhet të ketë kujdes, sidomos në raste të tilla kur merret me një vajzë të re, e cila larg qoftë mund të mos e përballojë dot stresin e shkaktuar nga kjo situatë dhe mund të bëjë ndonjë të pabërë.

Ka plot raste të tilla.

Prandaj merreni më qetë dhe fokusohuni tek lajmi i vërtetë, që është vrasja e një njeriu për një shikim, apo tek fakti që tashme duket se bandat në Elbasan nuk kanë më fuqinë e dikurshme, jo tek reagimi emocional i një vajze të re, që kërkon të mbrojë punën e vet!