Jennifer Lopez është acaruar pas publikimit të një video të saj këtë fundjavë nga dasma me Ben Affleck.

Pamjet e këngëtares duke i kënduar bashkëshortit të saj në ditën e dasmës së tyre më 20 gusht u bënë publike në internet.

Në videon e publikuar nga TMZ, Affleck shihet i ulur në mes të pistës së vallëzimit, ndërsa Lopez dhe kërcimtarët performojnë një këngë dhe kërcejnë për të.

Kënga që Lopez i këndoi aktorit nuk është publikuar ende dhe kjo duket se ka shkaktuar pakënaqësi tek këngëtarja.

Ajo shkroi në komente se video ishte vjedhur dhe u shit për para pa pëlqimin e tyre. Gjithashtu vuri në dukje se të ftuarit e saj nënshkruan marrëveshje ku kishin rënë dakord të mos zbulonin detaje nga martesa.

“Kjo është marrë pa lejen tonë. Dhe kushdo që e ka bërë ka përfituar nga momenti ynë privat. Nuk e di nga po e merrni këtë video sepse ne i kërkuam të gjithëve që të mos publikonin asgjë nga dasma jonë. Kjo ishte zgjedhja jonë”, ka shkruar aktorja.

Lopez shtoi se ajo publikon përmbajtje ekskluzive përmes webit të saj, OnTheJLo, dhe do të ndajë më shumë detaje rreth ditës së veçantë të çiftit kur të jetë gati.

Lopez dhe Affleck u martuan zyrtarisht në korrik, por mbajtën një ceremoni të dytë, luksoze në pronën e Affleck në Georgia ku ishin të ftuar miq dhe familjarë.

Fotot e postuara nga TMZ dhe një faqe fansash në Twitter treguan çiftin dhe të ftuarit e tyre të veshur me të bardha, si dhe detaje nga eventi.

Sipas Vogue, nusja veshi tre fustane Ralph Lauren në ditën e saj të dasmës. Sipas Us Weekly, Lopez dhe Affleck aktualisht po shijojnë muajin e dytë të mjaltit në Itali. Gazeta raportoi më parë se dyshja shkuan në Paris pasi u martuan ligjërisht në Las Vegas muajin e kaluar.

Çifti u fejua për herë të parë në vitin 2002 përpara se të shtynin dasmën dhe t’i jepnin fund lidhjes dy vjet më vonë. Ata rindezën romancën e tyre në vitin 2021 dhe u fejuan për herë të dytë në prill.