Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha sot në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, në Neës 24, me gazetarin Bashkim Hoxha, se këtë vit kryeqytetit i shtohen 12 shkolla të reja, të cilat hapen në shtator, por edhe 8 kopshte e çerdhe.
 
“Vjet hapëm një buqetë të madhe shkollash, kurse sivjet hapim 12 shkolla. Duket si statistikë, por kur flet për shkolla të tilla si “Kristo Frashëri”, “Vaçe Zela”, flasim për shkolla 10 mijë metra katrorë. Kurse shkolla “Sami Frashëri” duket si hotel me pesë yje. Kush kalon te “Rruga e Barrikadave”, përfshirë edhe ata që janë ende në vitet ’90, dhe mendon se duke hapur panik fiton ndonjë votë, nuk arrin gjë. Shkolla nuk u ndërtua në Paskuqan dhe kjo u provua për një vit. Ja ku është shkolla, sigurisht më e madhe! Do hapim “Sami Frashërin” e ri, shkollën “Andrea Stefani”, te zona e rreth rrotullimit të “Shqiponjës”, që zgjidh problematikën e komunitetit mes njësive 9 dhe 11, kemi edhe dy supershkolla, “Nënë Tereza” dhe “Kenedy” në Kodër Kamzë, nga pjesa veriore e Institutit Bujqësor,” u shpreh Veliaj.
 
Kreu i Bashkisë ftoi ata që sulmojnë e kanë penguar edhe këto projekte, ndërkohë që vetë nuk kanë ndërtuar asnjë shkollë kur drejtonin Tiranën, të shohin transformimin e infrastrukturës arsimore në kryeqytet.
 
“Vetëm për shkollën “Sami Frashëri” u ngritën tre padi! Padi pa sens, pa lidhje. Thoshin se do bëhet gradaçelë, por humbëm tre vjet. Unë e kuptoj nese del Iliri dhe Saliu dhe thonë se do bëjmë 50 apo 100 shkolla sepse jemi më të mirë se Edi Rama dhe se Erion Veliaj! Por, këta janë njerëz pa asnjë kontribut për qytetin dhe i vetmi kontribut I tyre është se kanë 30 vjet që përçajnë shoqërinë, mbjellin helm, mundohen të shqyejnë stofin moral të shoqërisë sonë”, u shpreh Veliaj. 
 
“Unë s’pres dot pesë mandate që të mbaroj një shkollë, ndaj për këtë arsye duhet ecur me marshin e pestë. Besoj se në zgjedhjet e ardhshme lokale debati do të jetë: Kush ka bërë llafe këto 30 vite dhe kush ka bërë punë sepse në fund mbetet puna. Me hapjen e këtyre shkollave të reja kemi zgjidhur një ngërç të paimagjinueshëm të mësimit me dy turne. Hapim edhe 8 kopshte dhe çerdhe këtë vit, e çojmë numrin në 46 kopshte dhe 40 çerdhe, pra në total 86. Mund të duket si statistikë, por kur mendon se për secilën ka pasur ndonjë sherr që ti duhet më mënyrë banale të luftosh me njerëz që vetë s’dinë të bëjnë asgjë, por kanë doktoraturë të bllokime, është disi kalitje për durim,” e mbylli Veliaj argumentin e tij.