Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi në një intervistë për mediat, nga Kievi, deklaratat e një dite më parë të Ilir Metës dhe Sali Berishës, të cilët u shprehën se do të ketë një koalicion mes tyre në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Veliaj tha se kjo nuk e tremb Partinë Socialiste pasi Berisha dhe Meta nuk kanë më se çfarë t’i japin Shqipërisë.
“Është diçka që shumëzohet me zero. Ata nuk kanë se çfarë t’i japin Shqipërisë. Jo se Edi Rama është kryetari im i partisë, por është kënaqësi të jesh në Kiev – pavarësisht kontekstit shumë tragjik – dhe kur përmendet fjala “Shqipëri” dhe “Qeveria e Shqipërisë”, ndihesh krenar. Edhe pse unë përfaqësoja vendin më të vogël, fakti që Shqipëria e ka ngritur emrin dhe reputacionin e saj, përtej popullsisë dhe ekonomisë modeste, është një moment krenarie. Nuk di te ketë lider botërorë që takohen me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Oferta e tyre që, meqë ata vetë janë kyçyr, nuk udhëtojnë dot dhe nuk takojnë dot njeri, është që të kyçin edhe Shqipërinë, më duket një ofertë absurde. Ndaj them, ata mund të jenë dy, por çdo gjë që ata bëjnë bashkë e shumëzuar me zero, prapë rezultati është zero. Nuk kemi folur dot për shkolla në kohën e Kristalit dhe të Vitrinës. Në kohën e Ilir Metës nuk u ndërtua asnjë shkollë. Ilir Meta dhe Sali Berisha e kishin Bashkinë e Tiranës me Lulzim Bashën dhe nuk ndërtuan asnjë shkollë. Unë e kuptoj që ata kanë shqetësime. Nuk e harroj Tiranen e plehrave që gjetëm në vitin 2015, ku plehrat ishin mullar dhe një re kancerogjene binte mbi qytet, por sot nuk është më. Duhet që Ilir Meta të prodhojë foto nga Kabuli për të ilustruar temat e tij, se qartazi siç është në Lalz ajri i pastër, ku ai shkon përditë përpara se të vijë në Tiranë për pak orë të hedhë helmin e ditës, ai ajër i pastër sot është dhe në Tiranë”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se Shqipërisë i duhet një lider i fortë si Edi Rama, që ka treguar se i del në ballë punëve.
“Një botë që sot është kaq e trazuar, ka nevojë për liderë të fortë. Kriza e pandemisë dhe kriza e tërmetit treguan se Edi Rama është lider i fortë, njeri që i jep dum punëve, që është i fokusuar dhe i disiplinuar për të kapur afatet dhe për t’u sigurar që Shqipëria nuk mbetet pas, as për vaksinën dhe sidomos avangardë për çështjen e rindërtimit ku sot po na kërkohet të japim ekspertizë. Ndërkohë që, nuk më rezulton se do njeri ekpertizë nga Ilir Meta dhe Sali Berisha. Ne na duhet më shumë se kurrë një lider i fortë si Edi Rama. Ndaj besoj se shanset e tyre janë zero. Është një shumëzim me zero. Oferta e tyre ka qenë mediokre. Për mendimim tim ata janë rrënoja morale”, theksoi Veliaj.