Serbia është shndërruar në një arenë e një lufte të fshehtë midis Lindjes dhe Perëndimit. Kështu vlerëson presidenti Aleksandër Vuçiç, ndërsa Beogradi kërkon të mbajë balancën delikate mes ambicies për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe lidhjeve me Rusinë dhe Kinën.
“Ju keni një luftë të fshehtë të fuqive të mëdha që po zhvillohet në Serbi përmes lojtarëve politikë, sektorit joqeveritar në të dyja anët, mediave dhe organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, dhe ju mund ta shihni atë çdo ditë, në çdo mënyrë”, deklaroi Vuçiç.
Në një intervistë për Reuters, Vuçiç iu rikthye akuzave ndaj Kosovës duke pretenduar se pala shqiptare nuk po kërkon një kompromis në procesin e dialogut. Nga zyra e tij në Beograd, ai tha se Prishtina po imponon planet e saj me mbështetjen e perëndimit.
“Kam frikë se ata nuk duket se duan një bisedë serioze apo një dialog serioz, por se ata më tepër mendojnë se mund të arrijnë atë që duan duke e imponuar atë në fund të ditës, me pak ose shumë mbështetje. Kësaj radhe kjo nuk do të ndodhë dhe do të shohim se cili do të jetë rezultati. Besoj se ato vende që po mbrojnë të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës do ta bindin regjimin e Prishtinës që të mos luajë me një konflikt në një rajon, i cili sigurisht është plot probleme”, shtoi presidenti serb.
Presidenti serb shtoi se javët e ardhshme priten më shumë bisedime dhe përpjekje diplomatike nga të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së për zgjidhjen e çështjes së targave të makinave. Prishtina dhe Beogradi arritën ujdi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për letërnjoftimet, ndërsa për targat, Kosova vendosi që serbët vendas t’i ndërrojnë ato të Serbisë me ato të Kosovës brenda dy muajve nga 1 shtatori.