Industria izraelite e Hapësirës Ajrore (IAI) ka nënshkruar kontrata me Italinë me vlerë rreth 550 milionë dollarë për shitjen e dy avionëve të tjerë spiun, si dhe për shërbime mbështetëse dhe logjistike tokësore për forcat ajrore italiane.
Marrëveshjet, të pasqyruara në dokumentet e disponueshme publikisht nga Ministria Italiane e Mbrojtjes dhe parlamenti i vendit, e çojnë në katër numrin e avionëve të misioneve speciale që IAI do t’u ketë furnizuar italianëve.
Në korrik të këtij viti, IAI njoftoi se i ishte dhënë një kontratë për më shumë se 200 milionë dollarë për atë që e përshkroi si furnizimin e avionëve të misionit special për një vend anëtar evropian të NATO-s, por nuk bëri të ditur se cilin vend.
IAI është ende duke refuzuar të ‘diskutojë identitetin e klientëve të saj’, por një hetim i të përditshmes izraelite “Haaretz” ka zbuluar se është Italia – dhe se forcat ajrore italiane janë gjithashtu klientë në një tjetër marrëveshje të madhe të shpallur nga IAI në 2020.
Në vitin 2021 Ministria Italiane e Mbrojtjes publikoi synimin e saj për të blerë dy avionë të rinj spiun.
Këta avionë janë të pajisur me radarë, sensorë të avancuar dhe sisteme të grumbullimit të inteligjencës, duke i siguruar operatorit të saj një ndërgjegjësim të plotë të situatës, “menaxhimi i mbrojtjes ajrore dhe beteja ajrore, me mbikëqyrje të vazhdueshme 360 gradë të të gjitha kërcënimeve ajrore dhe detare”.
Marrëveshja, me vlerë 209 milionë euro u nënshkrua në mars 2022 dhe u publikua në regjistrin e masave ekzekutive të Ministrisë së Mbrojtjes.
Dokumentet e tjera të vitit 2020 zbulojnë një marrëveshje shumëvjeçare për blerjen e shërbimeve mbështetëse dhe logjistike nga ELTA për stacionin tokësor të lidhur me flotën e avionëve spiun dhe për mirëmbajtjen e tyre.
Marrëveshja 10-vjeçare e shërbimeve, në total prej 332 milionë euro u nënshkrua në maj të 2020-ës dhe u publikua në regjistër.
Vetëm dy javë më vonë, IAI njoftoi një ‘kontratë të lidhur me avionët e misionit special’ me një çmim të ngjashëm, pa përmendur se kush ishte klienti.