Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte sot në një intervistë me gazetarin Thimi Samarxhiu për emisionin “Zona Zero” në Top News ku përveç vizitës së bërë në Hagë tek burgu i Tribunales ku presin verdiktin 4 ish-krerët e UÇK-së, foli edhe për Ballkanin e Hapur.
Si po të duket bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë?
Ne jemi një. E kam ndjerë që nga viti 1978. Vij rregullisht këtu. Dhe zemra ime nëse rreh 80 herë në minutë, 30 herë rreh për Shqipërinë. E dua këtë vend. Pata kritika kur deklarova se Tirana është kryeqyteti i Kombit tonë, thashë është kryeqyteti im. Do e doja Prishtinën më të bukur, më të pastër sigurisht, por dhe Tiranën e dua shumë. Isha ideator që qeveritë tona të takohen. Jam falënderues për këdo që këto ide i çon përpara. Jam krenar kur vij në kufi e nuk kam nevojë për pasaportë. Nuk kemi kurrëfarë kundërshtie me njëri-tjetrin. Jemi në rrugë të drejtë dhe pse me vonesë.
Ballkani i Hapur
Desha të falenderoj Ramën për punën e madhe që po bën, për imazhin që po i jep Shqipërisë por dhe kombit shqiptar, dhe për mbrojtjen e kauzës kombëtare. Të gjithë ata që e quajnë Ramën, zëdhënës të Vuçiç, apo si njeri që kërkon të mbështesë Serbinë, ose që e kundërshtojnë Ballkanin e Hapur, për mua janë të kota, dhe ju garantoj se asgjë të keqe nuk ka në Ballkanin e Hapur. Po të isha unë kryeministër i Kosovës, absolutisht që do i bashkohesha Ballkanit të Hapur. Kjo është një ide, jo e Vuçiç, madje për atë e shoh të vështirë të hyjë në një dhomë ku është dhe flamuri i Kosovës aty. Se po të hynte Vuçiç në një dhomë me flamurin e Kosovës, do pranonte ekzistencën e këtij shteti. Kokëfortësia të lihet anash, qytetarët duan zgjidhje, duan siguri dhe kjo duhet arritur. Politikan i mirë është ai që gjen zgjidhje. Zgjidhje me luftë nuk ka. Se do kthehej Kosova pas.
Vucic provokon hera herës, sa do presim ende?
Këto janë tentativat e fundit të Serbisë për të kontestuar rrugëtimin e Kosovës. Besoj se ata e dinë dhe nuk kanë zgjidhje tjetër. Kosova është vend i pavarur. Vucic e di këtë. E di që nuk ka kthim mbrapa. Nëse ka marrë votën e serbëve e di që atyre vetë duhet t’u sigurojë paqen. As serbët e tanishëm nuk e duan luftën. Çdo aplikim force e dinë që do jetë humbje për ata. E di që Vucic e ka të vështirë se ka plot njerëz që e kundërshtojnë atë, e shoh që flet me dy standarde. Ate që duan të dëgjojnë serbët dhe atë që mendon ai. Por duan ta shesin shtrenjtë këtë marrëveshje e këtu duhet të tregohemi të zgjuar.