“Brenda 100 ditësh Policia e shtetit duhet të dalë nga udhëkryqi ku ndodhet”.
Kjo ka qenë porosia e kryeministrit Edi Rama për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit. Në takimin e sotëm me drejtuesit e policisë, ku u prezantua Muhamet Rrumbullaku, Rama mohoi dhe ndërhyrjet për emërimet në Policinë e Shtetit, një nga aludimet për arsyet e shkarkimit të Gledis Nanos si drejtor i përgjithshëm.

“Siç e ka pasur paraardhësi juaj, pa kushte, pa asnjë ekuivok, pa asnjë interferencë, qoftë e largët dita kur unë do zë me gojën time emrin e ndonjë oficeri policie, deri tani s’ka ardhur, mbështetjen time do e keni dhe ju. Telefonatave dhe ju e keni për detyrë t’i përgjigjeni, por kërkesave në telefon nuk keni për detyrë t’i përgjigjeni, nga kushdo qoftë që të vijnë. Ditën që unë do t’ju marr në telefon duke ndërhyrë, ju keni të drejtë të bëni shërbime të kësaj natyre”, tha Rama.