Kompania Enerhoatom që menaxhon centralin bërthamor ukrainas në Zaporizhia tha se vetëm një prej gjashtë reaktorëve të centralit është në funksion.
Luftimet përreth centralit, që është më i madhi në Evropë, shtuar rritur frikën e një fatkeqësie bërthamore. Media shtetërore ruse, TASS, raportoi më 5 shtator se janë dëgjuar tri shpërthime në Enerhodar, qytetit ku gjendet centrali i Zaporizhias.
Rusia e ka akuzuar Ukrainën disa herë se ka tentuar që të marrë me forcë kontrollin e centralit, akuza që janë hedhur poshtë nga Kievi. Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se po dislokon armatim të rëndë në central, duke e ditur mirë se Ukraina nuk do të kryente sulme. Moska mohon këto akuza, por u ka rezistuar përpjekjeve për të çarmatosur zonën me qëllim që të shmanget rreziku për një katastrofë mjedisore.
Luftimet përreth centralit kanë shtyrë Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore të dërgojë javën e kaluar një mision në central. Disa anëtarë të misionit u larguan më 3 shtator, ndërkaq aktualisht dy inspektorë gjenden ende në Zaporizhia për të monitoruar situatën, raportoi TASS duke cituar një ekspert rus që ishte prezent brenda centralit.