Dëmtimet e pësuara me kombëtaret përkatëse nga Mike Maignan dhe Simon Kjaer mund të shkaktojnë vetëm alarm në shtëpinë e kampionëve të Italisë, pikërisht nën dritën e turit të angazhimeve që i pret kuqezinjtë, si të gjithë lojtarët e tjerë të mëdhenj të kampionatit.
Nga 1 tetori, dita e rifillimit të Serie A me ndeshjen jashtë fushe në Empoli, deri më 13 nëntor, “menyja” përfshin tetë ndeshje të ligës dhe katër ndeshje të Ligës së Kampionëve, të gjitha angazhime vendimtare në të dy kompeticionet. Nga njëra anë do të jetë nevoja për të arritur në pozicionin më të mirë të mundshëm në klasifikim në pushimin dy mujor të Serie A, nga ana tjetër do të luhet edhe kualifikimi i Milanit për në raundin e dytë të Champions-it, ku “Djalli” mungon që nga viti 2014.
Ky është objektivi minimal i sezonit europian për Leao dhe shokët e tij. Diagnozat që vijnë nga Franca dhe Danimarka janë të ndryshme, por shqetësuese. Maignan ka pësuar një dëmtim të shkallës së parë në këmbën e majtë dhe pritet të jetë larg fushave për rreth një muaj. Pulpa e këmbës është një nga zonat më të ndjeshme për një lojtar, përfshirë portierët, aq më tepër nëse, si në rastin e Maignan, eksploziviteti është një nga cilësitë kryesore të lojtarit në fjalë.
Për këtë arsye, në pritje të një diagnoze zyrtare pas vizitës së portierit nga mjekët e Milanit, vullneti do të jetë shmangia e rrezikut të rikthimeve të hershme. Ndaj duket qartë se francezi do të mungojë në pesë ndeshjet e ardhshme zyrtare, ndeshjet e kampionatit kundër Juventusit, Veronës dhe Monzës, si dhe në Champions League kundër Chelsea, sfidë vendimtare për kalimin në raundin e dytë.
Vendin e Maignan do ta zërë Ciprian Tatarusanu në kampionat, ndërsa në Ligën e Kampionëve po studiohet përjashtimi i përkohshëm i francezit nga lista për t’i lënë vend ish-it të Fiorentinës. Të dëmtuarit e Milan: Mike Maignan, Theo Hernandez, Simon Kjaer, Sandro Tonali, Divock Origi, Ante Rebic, Alessandro Florenzi, Zlatan Ibrahimovic.