Dani Alvesh rrëfehet 360° dhe jep një opinion për disa prej kampionëve të sotëm, por edhe të së shkuarës. Gjatë një interviste për gazetarin e “ESPN”, Hugo Sançez, mbrojtësi brazilian, sot në radhët e Pumës në Meksikë, komentoi edhe Pelenë dhe Mesin, por batutën më të veçantë ia rezervoi Kristiano Ronaldos, rivalin me të cilin është përballur kaq herë në “Klasiken” e Spanjës.
“Ai bastard nuk të lë të marrësh frymë. Kundër tij nuk kam luajtur keq, por ishte shumë i vështirë, një makineri golash”. Pastaj 39-vjeçari mbërrin te pyetja se cili është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave dhe braziliani nuk ka se si të mos zgjedhë “Mbretin” Pele:
“Zgjedh Pelenë sepse ndryshoi futbollin, ndërsa Mesi ndryshoi një brez. Pastaj unë jam brazilian dhe të gjithë njerëzit që shohin futbollin…
Por nëse do të më duhet të them se cili është më i miri i historisë, sipas meje Pele nuk duhet të diskutohet në këtë debat, sepse është një kategori më vete dhe unë po them Mesi”.
Mbrojtësi i djathtë firmosi me Pumën në verë, pasi i skadoi kontrata me Barcelonën. Veterani thotë se ai nuk ka ndërmend të tërhiqet, edhe pse shumë shpejt do të festojë 40-vjetorin:
“Mendoj se së bashku mund të ndërtojmë një skuadër shumë interesante në Meksikë, e cila luan futboll të ndryshëm. Nuk dua të mendoj për të ardhmen time, sepse ajo nuk dihet kurrë.
Lë rrjedhën e jetës të më marrë. Nëse Mesi më kalon rekordin e trofeve, atëherë do të luaj deri në moshën 50-vjeçare”.