Ndryshimet ligjore për të pastruar politikën nga bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit nisin të diskutohen që sot, në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi se ka ardhur koha që të shtojmë dhe pjesën që lidhet me përfshirjen e atyre personave që kanë qenë pjesë e strukturave të Sigurimit të Shtetit.
“Çështja e despiunizimit, ngjitja e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore në Shqipërinë demokratike kërkon një reflektim serioz. Grupi Parlamentar i PS-së ka dorëzuar projektligjet në kuvend. Kjo duhet bërë me urgjencë, që transparenca të jetë për të gjithë. I mirëpresim të trija propozimet e ardhura nga opozita. Por shpresojmë të ketë pjekurinë e duhur për të negociuar.
Ka ardhur koha që të shtojmë dhe pjesën që lidhet me përfshirjen e atyre personave që kanë qenë pjesë e strukturave të Sigurimit të Shtetit. Kriminelë janë dhe ata”.
Thelbi i ndryshimeve të propozuara nga e majta është hapje totale e dosjeve përfshi edhe ata të cilët njëherë kanë kaluar filtrat e komisioneve Bezhani dhe Mezini. Përpjekja e socialistëve me objektiv të qartë lënien jashtë politikës të Ilir Metës dhe Sali Berishës, do të vijojë me ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit dhe atë për partitë politike.Balla tha se i mirëpret propozimet e së djathtës, por shton se nuk ka zgjidhje nëse nuk pranohet negociimi.