Për deputetin serb nga radhët e lëvizjes “Mos e lini Beogradin të mbytet”, Gjorgje Paviçeviç është i qartë se qëndrimi zyrtar i Beogradit në raport me Kosovën ka ndryshuar ndër vite.

Sipas tij një gjë e tillë është shfaqur edhe gjatë debatit parlamentar në seancën e Kuvendit të Serbisë, ku temë diskutimi ka qenë Kosova.

Paviçeviç, në një intervistë për të përditshme serbe “Danas”, ka theksuar faktin se Vuçiç, shumë më tepër flet për realitetin, “pasojat katastrofike” të moszgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe “presionet e pabesueshme” që duron ai vetë përditë në raport me dialogun.

“Konstelacioni ndërkombëtare, në çdo aspekt, nuk është më aq i lehtë për të sa ishte deri vonë dhe është e dukshme që ai ka problem për t’u marrë me të, veçanërisht duke pasur parasysh varësin ekonomike të Serbisë nga perëndimi dhe lindja”, ka thënë Paviçeviç.

Sipas tij presioni për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovës është shumë më serioz se më parë. “Politika e zvarritjes së çështjes së Kosovës nuk mund të vazhdojë më, pa pasoja”, ka shtuar ai.

Sipas profesorit në Fakultetin e Shkencave Politike, Vuçiç’i ka përdorur partitë opozitare serbe, sidomos në seancën e fundit të Kuvendit të Serbisë, për të hequr sadopak barrën që ka mbi supe, kur në pyetje është çështja e Kosovës.

“Ai [Vuçiç] donte të arrinte një konsensus politik përmes një rezolute mjaft banale në atë mënyrë që të krijonte një argument se të gjithë pajtohen me qasjen e tij ndaj Kosovës. Unë nuk jam i sigurt se ai ia doli të merrte atë që dëshironte, por jam i sigurt se një gjë e tillë do të përsëritet vazhdimisht”.