Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi sot para liderëve botërorë për një dimër të vështirë, për shkak së krizave të vazhdueshme që po prekin njerëzimin, duke nisur nga lufta në Ukrainë e deri te efektet e ndryshimeve klimatike.“Kriza e fuqisë blerëse po shpërthen, besimi po humbet, pabarazitë janë në kulmin e tyre, planeti ynë është në zjarr”, tha Antonio Guterres në fjalimin e tij të hapjes në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të OKB-së, raporton abcnews.al.

“Krizat e vazhdueshme po kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit dhe fatin e planetit. Nuk po tallemi. Jemi në det të trazuar. Kemi para një dimër me pakënaqësi”, theksoi ai.
Pavarësisht nga rreziqet, komuniteti ndërkombëtar është “paralizuar”, vuri në dukje Guterres, duke përshkruar “një kërcënim për ndarje të rrezikshme midis Perëndimit dhe Jugut”.

“Ndarjet gjeopolitike janë duke minuar punën e Këshillit të Sigurimit, duke minuar ligjin ndërkombëtar, duke minuar besimin e njerëzve në institucionet demokratike,” shpjegoi ai.

“Nuk mund të vazhdojmë kështu”, theksoi ai.
Guterres u bëri thirrje vendeve të pasura që të tatojnë fitimet e sektorit të karburanteve fosile për të rishpërndarë të ardhurat tek vendet e prekura nga ndryshimet klimatike dhe tek popullsitë e goditura nga inflacioni.

“Sot, po u bëj thirrje të gjitha ekonomive të zhvilluara të tatojnë të ardhurat e papritura të kompanive të karburanteve” dhe t’i investojnë ato të ardhura në dy mënyra: në vendet e rrënuara nga humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe në segmente të popullsisë që përballen me vështirësi për shkak të rritjes së çmimit të ushqimit dhe energjisë”, tha Guterres.